
ITALI- Mbrojtja e Klajdi Mjeshtrit, 28-vjeçari me origjinë shqiptare i akuzuar se ka goditur me grusht për vdekje 34-vjeçarin Giuseppe Tucci, ka kërkuar që të hedhë poshtë hipotezën e vrasjes me dashje. Një muaj para seancës, të caktuar për 13 mars, ka një luftë raportesh mjeko-juridike. Sipas mediave italiane, mbrojtja e të pandehurit, e udhëhequr nga avokati Massimiliano Orrù, kërkuan gjykimin e shkurtuar, procedurë që parashikon ulje të 1/3 së dënimit. Një kërkesë që e kanë mbështetur në përfundimet e mjekut ligjor sipas të cilit zjarrfikësi italian vdiq për shkak të traumës në pjesën e pasme të kokës, si pasojë e rënies përtokë.
Në fakt eksperti i mbrojtjes pohon se shkaku i vdekjes së Tuccit nuk ishin goditjet me grushte nga sulmuesi por goditja në asfalt pas goditjeve të marra. Më tej, në të njëjtën kohë, profesori Pesaresi mbështet tezën sipas së cilës 34-vjeçari vdiq pas orëve të tëra agonie, pasi trajtimet spitalore nuk patën efekt për shkak të alkoolit që kishte konsumuar. Në thelb, në bazë të raportit të mbrojtjes, barnat e administruara për rithithjen e hematomës në pjesën e pasme të kokës, nuk dhanë efekt pasi kishte pirë alkool.
Diametralisht e kundërt është teza e Prokurorisë së Riminit me prokuroren Davide Ercolani, e cila ka koordinuar hetimet për krimin. Sipas asaj që rezultoi nga ekzaminimi i autopsisë në trupin e viktimës, të kryer nga mjeku Donatelli Fedeli, vdekja e 34-vjeçarit ka ardhur drejtpërdrejt nga 5 grushtet e marra nga Mjeshtri: dy të parat i mori mes mollëzës dhe tëmthit, më pas të tjerat anash dhe në kokë.
Përballë këtyre dy versioneve, pritet që gjykata të caktojë një ekspert të tretë mjeko ligjor për të përcaktuar të vërtetën.
Klajdi Mjeshtri, i cili punonte si roje sigurie në diskotekë, akuzohet se mbrëmjen mes 10 dhe 11 Qershorit e rrahu brutalisht Tucci-n duke i marrë jetën. Gjithçka nisi brenda ambienteve të diskotekës, ku 34-vjeçari kishte shkuar bashkë me një shok. Me pretendimin se i kishte ngacmuar të dashurën, shqiptari Mjeshtri e nxori Tucci-n me forcë nga diskoteka. Por pak minuta më vonë, 34-vjeçari u rikthye në diskotekë, duke u futur nga hyrja tjetër. Kjo duket se u bë shkak për një reagim edhe më të dhunshëm nga Mjeshtri që akuzohet se e goditi me grushta e shkelma Tucci-n duke e lënë pa ndjenja në rrugë.
“Më ka mërzitur të dashurën, u kthye dhe më provokoi”.
Teksa i biri dergjej në shtrat, babai i viktimës dhuroi organet e të birit./ZËRI