
TIRANË- Ndihmës Sekretari për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL), Todd D. Robinson, prej ditës së djeshme ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë. Paraditen e sotme, ai është pritur në një takim nga kreu i SPAK Altin Dumani, ku në fokus të diskutimeve do të jetë lufta kundër narkotrafikut. Sekretari ka vizituar edhe zyrat, ku në imazhe shihet se është përballur me stivën e dosjeve në SPAK.



Në një postim në rrjetin social, ambasada shkruan se zyrtari i lartë amerikan ka shprehur mbështetjen për drejtësinë dhe vendosi fokusin tek fundi i pandëshkueshmërisë.
“Në një pritje me gjyqtarë, prokurorë, hetues dhe drejtues shqiptarë nga agjencitë shqiptare të drejtësisë, Ndihmës Sekretari Todd Robinson falënderoi partnerët tanë shqiptarë për guximin dhe përkushtimin e tyre për sundimin e ligjit, transparencën dhe dhënien fund të pandëshkueshmërisë. Ai nënvizoi rëndësinë e një drejtësie të pavarur për Shqipërinë pasi ajo lufton krimin dhe korrupsionin”, shkruan ambasada.
Në takimin e zhvilluar mësohet se Washingtoni kërkon nga SPAK që të jetë më proaktiv dhe konkret në hetimin dhe gjurmimin e parave të grupeve të trafikut të drogës, që dyshohet se pastrohen në sektorin e ndërtimit në Shqipëri. Paratë e kullave prej kohësh kanë ngritur shqetësim te partnerët ndërkombëtarë. Kërkesa amerikane konfirmohet vizualisht nga vetë prezenca e një zyrtari të byrosë së narkotikëve në DASH, në një kohë që vetë eprori i tij, Antony Blinken pak ditë më parë mori pjesë në një konferencë kundër pastrimit të parave në Vjenë. Hetim të burimit të parave të kullave dhe të rezidencave në zonat bregdetare është kërkuar kryesisht nga partnerët europianë të Shqipërisë.
Takimi me Ramën
Ndihmëssekretari amerikan zhvilloi një takim pasditen e kësaj të marte edhe me kryeministrin Edi Rama. Lajmin e bën me dije ambasada e SHBA në Tiranë e cila shkruan se të dy diskutuan për bashkëpunim të fortë midis vendeve.
"Ndihmës Sekretari Todd Robinson u takua me kryeministrin Edi Rama për të nënvizuar bashkëpunimin e fortë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe diskutoi rëndësinë kritike të forcimit të shtetit të së drejtës, rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit dhe avancimin e reformës në drejtësi", shkruan ambasada.
Byroja Ndërkombëtare e Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, ose siç njihet shkurtimisht, INL është një agjenci që raporton për nënsekretarin për Siguri Civile, Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut brenda Departamentit Amerikan të Shtetit. /ZËRI