
TIRANË- Me tone të larta është zhvilluar mbledhja e sotme e Komisionit të Sigurisë në Kuvend. Teksa diskutohej aksioni i zhvilluar dje nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që vendosi në pranga shefin e Komisariatit të Kurbinit, nuk kanë munguar debatet mes opozitës e maxhorancës. Opozita kërkoi që në seancë të merrte pjesë ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.
Gjatë fjalës së tij, deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji deklaroi se në aksionet policore, për të cilat shprehu rezerva, nuk kapen autorët e vërtetë të krimit. Ndaj edhe kërkoi "kokat" e uniformave blu të vendit që të jepnin llogari për bashkëpunimin e vartësve me personave të botës së krimit. Ndërsa socialisti Toni Gogu kërkoi, duke mëshuar edhe në dozën e ironisë, që të riktheheshin në rendin e ditës. Fjalët e tij përkundrejt opozitës shkaktuan reagimin e ashpër të Salianjit. Ndaj edhe kreu i Komisionit, Nasip Naço zgjodhi të ndërpriste mbledhjen.
PJESË NGA DEBATI:
Toni Gogu: Kjo gjëja duhet të përfundojë, e kam rrjedhje përballë. Është shumë e madhe. Nuk ka tapë që iu bën derman. E keni lodhur këtë argument, se ça jam unë, e di shumë mirë. Ju nuk e dini se çfarë keni prandaj lëvizni sa tek Luli, tek Gazi, tek Saliu. Kryetar urgjentisht të kthehemi tek rendi i ditës.
Ervin Salianji: Këtu ka një gjë. E kuptoj dëshpërimin e PS. Qeshni se do shihni mirë sesi do të përfundoni. Do t'ju vijë dita dhe ju. Se çfarë ndodh në Partinë...në PD...shiko mos u trajto si ganster, se nuk e bën dot njëri gansterin me mua. Ti je jo një ushtar po një pocaqi që ke ardhur në parlament për të ngritur dorën. Ke ardhur në parlament me mbështetjen e krimit.
Nasip Naço: 5 minuta pushim!
Me rikthimin e deputetëve në sallë, më tej, anëtarët miratuan nen për nen dhe në tërësi ndryshimet në ligjin “Për shërbimin privat të sigurisë fizike”./Zëri.ai