
TIRANË- Gjykata e Apelit të Tiranës ka vendosur kundër ekstradimit të ish-luftëtarit të UÇK-së, Dritan Goxhaj, për të cilin ishte lëshuar një urdhër arresti nga Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë.
Në këtë mënyrë Goxhaj do të lihet i lirë, pasi ka kaluar dhe afati 40 ditor i masës së sigurisë që ishte vendosur ndaj tij. Fillimisht Gjykata e Tiranës kishte vendosur pro ekstradimit të Goxhajt, por avokatët e tij apeluan vendimin, dhe sot kanë dalë fitimtarë.
I gjithë procesi ndaj Goxhajt është shoqëruar dhe me protesta të shumta nga ish-veteranët e UÇK-së, të cilët e konsideruan të paligjshëm arrestimin e tij. Goxhaj ishte rasti i parë i një arrestimi në Shqipëri me urdhër të gjykatës speciale.
Kur u arrestua Dritan Goxhaj
Ish-luftëtari i UÇK-së u vu në pranga në 31 Korrik në Tiranë. Ai akuzohej nga Gjykata Speciale për veprën penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, parashikuar nga legjislacioni penal i Republikës së Kosovës.
Mbi bazë të kësaj kërkese, Gjykata e Tiranës lejoi fillimisht kontrollin e banesës së 45-vjeçarit dhe vënien e tij në pranga me qëllim ekstradimin.
Dritan Hoxhaj, është djali i ish-zv/shefit të Shtabit të UÇK dhe kolonelit të njohur nga Shqipëria, Dilaver Goxhaj i cili u bë vullnetarisht pjesë e luftës!
Ndërsa i biri më pas iu bashkua UÇK si oficer i ushtrisë shqiptare, ku një nga detyrat ka qenë mbajtja e kontakteve me komandën e Forcave Amerikane në Shqipëri.
Kosova miratoi në vitin 2015 ngritjen e gjykatës Speciale, për gjykimin e dyshimeve për krime lufte.
Mes personave të arrestuar dhe të cilët po presimin edhe vendimin e togave të zeza janë edhe ish drejtuesit e luftës dhe shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi./Zëri.ai