
TIRANË- Natasha Rombula dhe djali i saj Armando Kumaraku synonin të përfitonin sa më shumë të ardhura nga rrjeti social TikTok, një sensacion që po merr jetë njerëzish dhe po ndikon negativisht në formimin e shoqërisë. Nënë e bir u vunë sot në pranga nga Policia në Sarandë, ku jetojnë, në një nga hotelet e këtij qyteti, të cilin e menaxhojnë prej disa vitesh.
Prej disa muajsh ata kanë shfrytëzuar një të mitur 10-vjeçar, duke postuar sa më shumë video LIVE të tij në TikTok për të përfituar para. Në videot që siguronin mijëra ndjekës dhe shikues në prani të të miturit përdorej një gjuhë banale, me ofendime dhe etiketime ndaj nënës së të voglit. Kjo e fundit e identifikuar me iniciale E. A., ka kallëzuar penalisht ish-bashkëshortin dhe ish-vjehrrën e saj për rastin në dhjetor të vitit të kaluar.
Pas arrestimit, organi i akuzës ka nisur mënjeëherë hetimet. Mirëpo, konflikti mes denoncueses dhe ish-bashkëshortit e ish-vjehrrës së saj ka filluar 6-vjet më parë, kur nusja u divorcua dhe u larguar nga qyteti i Sarandës e u kthye të jetonte bashkë me djalin në shtëpinë e prindërve të saj në qytetin e Kuçovës.
Gjatë kësaj kohe ka patur herë pas herë përballje të forta mes dy familjeve ku nuk kanë munguar ofendimet dhe etiketimet denigruese ndaj nënës së të miturit. Por në gjithë këtë histori, më i prekuri është fëmija i cili ka përjetuar gjendje të rënda psikologjike. Me divorcin e prindërve ai është detyruar që të kalojë kohë në të dyja banesat në Sarandë, tek gjyshërit nga ana e mamit dhe ata nga ana e babit.
Kryesisht pushimeve të verës ai qëndronte tek i ati, Armando Kumaraku, i cili banonte me nënën e tij Natasha Rombula. Nëna çdo vit pas ardhjes së djalit nga pushimet e verës ka denoncuar faktin se djali kishte ndryshuar, përdorte fjalor agresiv me të dhe shokët dhe për këtë djali çdo vit është vlerësuar psikologjikisht nga psikologët./ZËRI