
LEZHË- Një incident ka ndodhur gjatë mitingut të kryeministrit Edi Rama në Lezhë, teksa po prezantonte kandidatët për deputet. Mësohet se gjatë takimit janë shoqëruar në Komisariat 3 persona. Ata kanë shkuar sheshin “Gjergj Kastrioti” me pankarta në duar ku shkruhej "Na morët frymën".
Por, gjatë gjithë mbledhjes kanë qëndruar në heshtje dhe nuk kanë shkaktuar probleme. Pavarësisht kësaj, Policia Bashkiake ka shkuar në vendngjarje dhe i ka shoqëruar ata në komisariat. Deri më tani, ende nuk ka informacione nga Policia se përse ata janë shoqëruar.
Kandidati i Partisë Demokratike Agron Gjerkmarkaj u paraqit në Komisariatin e Lezhës për të ndërmjetësuar për lirimin e tyre. Pasi doli nga ambientet e Policisë, Gjerkmarkaj në një prononcim për mediat tha se qytetarët u shoqëruan në komisariat për shkak se shpalosën parrullën. Ai tha se ata nuk shkaktuan asnjë problem, por pavarësisht kësaj ata u shoqëruan në Polici. Deputeti demokrat tha se parrulla e tyre iu referohej ankesave që ata kanë për një fabrikë që është kthyer në një problem për ta për shkak të ndotjes së ajrit.
“Sot jemi këtu, sepse ka ndodhur një ngjarje shumë shqetësuese, Policia e Shtetit në bazë të ligjit dhe Kushtetueses duhet të garantojë rendin publik, përdoret politikisht për të terrorizuar qytetarët dhe demokratët për të krijuar një klimë frike dhe tensioni në kohën që ne kemi filluar fushatën zgjedhore elektorale. Sot tre qytetarët, janë marrë forcërisht pas një konflikti artificial të stisur nga Policia Bashkiake, sepse kanë hapur vetëm një banderolë, ku thuhej “Na u zu fryma”. Sepse po ua zë frymën qytetarëve, por në mënyrë specifike banorët e zonëns “Skëndërbej”, ku gjithë qytetarët e Lezhës kanë një problem ambiental me një fabrikë, e cila ua ka bërë jëtën të pajetueshme, mund të jetë dhe burim i infeksioneve dhe sëmundjeve dhe këta qytetarë janë në të drejtën e Zotit të protestojnë. Në një vend të lirë dhe demokratik, protesta është gjëja më e natyrshme dhe më normale. Pasi proteston, njeriu shkon në shtëpinë e vet dhe nuk vjen në komisariat. Ne jemi në kushtetet e flagrancës, ku qytetarët merren peng. I bëj thirrje Policisë të Shtetit të mos përdoret politikisht, as nga qeveria e Edi Ramës as nga pushteti lokal dhe të jenë të bindur që asnjë presion, as një frikë nuk i tremb qytetarët dhe demokratët për ndryshimin më 11 Maj”, tha Gjerkmarkaj./ZËRI