
DURRËS-Prej rreth tre javësh, në qendrat e rehabilitimit të përdoruesve të drogës në Durrës, Shkodër dhe Korçë nuk ka metadon. Përdoruesit e metadonit në Durrës, që po tentojnë të heqin varësinë nga përdorimi i lëndëve të forta narkotike, ankohen se ky medikament në qendrën spitalore mungon dhe janë detyruar të ndërpresin trajtimin që e bënin prej vitesh.
Kjo situatë sipas tyre i ka detyruar të rikthehen sërish tek përdorimi i drograve, të cilën po e sigurojnë nëpërmjet vjedhjeve dhe presioneve ndaj familjarëve të tyre.
Nga ana e spitalit rajonal të Durrësit nuk ka patur asnje reagim në lidhje me pretendimin e përdoruesve të metadonit, ndërsa nuk dihet se edhe për sa kohë do të zgjasë mungesa e këtij medikamenti kaq të domosdoshëm për këtë pjesë të shoqërisë. Metadoni shpërndahet me anë të një grafiku në qendra në Tiranë, Berat, Sarandë, Fier, Shkodër, Durrës, Korçë dhe Vlorë. Ilaçi jepet vetëm në qendrat shpërndarëse./ZËRI