
DURRËS- Vrasja e 50-vjeçarit Pëllumb Meta në Shënavlash të Durrësit vijon të jetë e rrethuar me mister, ndëkohë që në burg mbeten 3 fëmijët e tij. E ftuar në emisionin “Me zemër të hapur”, motra e viktimës Lutfie Muka ka hedhur akuza ndaj kunatës së saj, Blerina Meta se ka tradhtuar vëllain e saj, si edhe u ka vrarë nënën.
Ajo ka deklaruar se fqinjët e çiftit kanë parë një person të panjohur duke hyrë nga dritarja e banesës së 50-vjeçarit, kur ky i fundit ndodhej emigrant në Itali. Sipas saj, kjo tradhti është zbuluar nga nëna e tyre, e cila jetonte në një banesë, ndaj Blerina Meta e ka mbytur.
“Kur ishte vëllai në Itali këta kanë parë një person lart e poshtë, të huaj, pyesnin kush është ky që hyn e del. E kanë parë tek penxherja e vëllait tim. Nëna ime e ka nuhatur dhe ajo i ka marrë jetën nënës sime. Ajo është monstër, duhet të japë llogari dhe të nxjerrë të vërtetën.
Kam dyshime të forta që edhe nënën ma ka mbytur. Si vdiq nëna tak fak, ishte në pazar erdhi në shtëpi, e paketoi e vendosi pas sobës. Erdhi prej pazarit të Durrësit dhe tha hajdeni se është nëna sëmurë, kur erdhi e gjetëm nënën të paketuar. Kam dyshuar që në atë kohë, unë isha në kurbet, s’kam marrë pjesë në varrim sepse isha pa letra. Të gjithë kanë ngritur dyshime”, tha Lutfie Muka.
Motra e Pëllumbit ka deklaruar se viktima ka qenë një njeri familjar që punonte shumë për të siguruar jetesën për familjen.
“U hodh baltë me të padrejtë mbi familjen dhe vëllanë tim. Mostra dhe familjarët e saj (Blerina) nuk mund të hedhë baltë mbi të. Vëllai im ka qenë punëtor, i urtë, i sjellshëm, familjar ne maksimum. Nuk mund të jesh baba i mirë vetëm kur je 24 orë me fëmijët, sepse dikush duket të punonte. Blerina ka pasur në dorë të gjithë kohën e mundshme për t’i kthyer nga vetja fëmijët.
Ka qenë ajo që i rriti sepse vëllai im ka punuar ditë e natë që t’i siguronte jetesën. Ai kishte parë botë me sy, kishte emigruar që me eksodin e parë dhe u kthye vetëm kur na ndërroi jetë nëna.
Me Blerinën janë njohur me shkuesi. Ajo i dha fëmijëve shkollën e krimit. Blerina ishte e ftohtë me ne. Nuk kishim pasur debate, e vetmja ka qenë në kohë të hershme një kërkesë që fëmijët të rrinin me fëmijët e vëllait tjetër. Kjo e shqetësonte nënën time.
Nëna me tha ‘Po më plas shpirti’ që nuk i lë fëmijët të luajnë bashkë.
Ia thash Blerina e cila më tha shih punët e tua e mos fut hundët tek familja”, tha ajo./ZËRI