
SHKODËR- Reshjet e dendura të shiut dhe erërat e forta kanë përfshirë territorin e Bashkisë Shkodër që nga mbrëmja e djeshme, duke shkaktuar disa dëme në pjesë të ndryshme të qytetit. Më të prekura kanë qenë zona e unazës perëndimore, ku janë rrëzuar disa pemë, përfshirë një që ka rënë mbi një automjet të parkuar. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar.
Drejtoria e Shërbimeve dhe Punëve Publike ka ndërhyrë menjëherë që në orët e para të mëngjesit, duke punuar për të pastruar zonat e prekura dhe për të riparuar dëmet e shkaktuara nga kushtet e këqija atmosferike.

Sipas parashikimeve, moti i keq pritet të vazhdojë të ndikojë në qytet edhe gjatë fundjavës./ ZËRI