
TIRANË- Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë këtë të hënë vendin kanë shkaktuar probleme në disa zona të vendit. Problemet më të mëdha janë hasur në Lezhë, Shëngjin, Elbasan, Librazhd, Prrenjas, “Rrugën e Arbrit”, Pogradec e Korçë. Disa zona kanë mbetur pa energji elektrike ndërsa rrugët dhe shetitoret janë mbuluar nga uji.
Korçë
Raportohet se 40 fshatra në Maliq, Pogradec, Devoll dhe Kolonjë kanë mbetur pa energji elektrike prej orëve të para të kësaj të hëne. Nga ana tjetër Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka deklaruar se ekipet e terrenit po ndjekin nga afër situatën dhe po punojnë për riparimin e linjave. Ndërkohë reshjet e shiut bllokuan bulevardin e Korçës dhe disa nga lagjet në Pogradec.
Elbasan
Reshjet e denduara të shiut kanë shkaktuar probleme dhe në qarkun e Elbasanit. Raportohet se aksi Elbasan-Prrenjas ka pasur vështirësi kalimi pasi uji dhe inertet për shkak të rrëshqitjes së dheut shkaktuan bllokimin e rrugës.
Ndërkohë është regjistruar dhe një aksident automobilistik për shkak të përmbytjes së rrugës. Fatmirësisht pa të lënduar. Policia ka qenë në terren për të lehtësuar qarkullimin e mjeteve.
Dibër
Moti i keq ka shkaktuar problem dhe në Dibër. Raportohet se në Urën e Çerenecit pjesë e aksit rrugor Bulqizë-Maqellarë prezenca e ujit dhe gurëve shkaktoi vështirësi në lëvizje. Probleme janë hasur dhe në “Rrugën e Arbrit”.
Lezhë
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme të shumta kryesisht në qytetin e Shëngjinit. Bllokimi i kanalizimeve anësore të rrugëve solli bllokimin e tyre. Kjo bëri që uji të dalë në sipërfaqe dhe të bllokojë rrugët e qytetit, të cilat në disa lagje u kthen gati në pakalueshme në këmbë. Niveli i ujit arriti deri në 40 centimetra./Zëri