Aktualitet

MISTERET që fshihen pas vrasjes së Pëllumb Metës! A veproi e vetme vajza dhe ku ndodhet arma?

Familjarët po merren të gjithë në pyetje, ndërsa pyetja që lind është: Kush fshihet pas vrasjes së Pëllumb Metës? Dhe a janë të gjithë fajtorë në krim?

E.K
MISTERET që fshihen pas vrasjes së Pëllumb Metës! A veproi e
Pëllumb dhe Hygerta Meta, pamje nga vendi i ngjarjes

DURRËS- Vrasja dhe groposja e Pëllumb Metës në Shënavlash të Durrësit mbetet ende e mbuluar nga misteri dhe Policia e Prokuroria ndodhen në udhëkryq se kush është fajtori. Vajza e vogël e familjes, 19-vjeçarja Hygerta Meta është ajo që ka marrë përsipër krimin duke thënë para Policisë se babai donte ta fejonte pa dëshirën e saj me një djalë që jetonte në Itali. Kjo sipas saj ka qenë dhe arsyeja kryesore se përse ka vrarë të atin, ndërsa ka dëshmuar dhe versionin e saj të ngjarjes dhe se si e kreu krimin.

Po ashtu e reja ka treguar se babai i ka nxirë jetën nënës së saj dhe gjithë familjes. Por, Policia nuk është shumë e bindur. Dyshohet se ajo është ndihmuar dhe nga familjarë të tjerë, mes tyre vëllai i madh, Hysen Meta. Por kjo pistë ka ende shumë dyshime dhe paqartësi. Në këto momente në Policinë e Durrësit janë duke u marrë në pyetje të gjithë anëtarët e familjes.

Dëshmia e vajzës:

Jam e lumtur që e kreva unë këtë punë dhe nuk pendohem që kam vrarë tim atë. Ai na ka torturuar dhe i ka nxirë jetën nënës sime. Unë jam fëmija i vogël i familjes. Motra është më e madhja është e martuar, janë 2 vëllezërit dhe pastaj unë. Mami dhe ne nuk kemi folur kurrë në familje. Për gjithçka fliste dhe vendoste babai. Ai nuk na pyeste kurrë çfare dëshironim. Kur mori vendimin për martesën time aty erdhi fundi. Nuk dëgjoi çfarë unë doja. M’u mblodh një urrejtje për një kohë të gjatë. Ditën e ngjarjes nuk u konfliktuam fare. Mora armën që babi përdorte kur shkonte në punë si roje dhe e qëllova brenda kasolles së bagëtive. Pas krimit e kam mbështjellë me një çarcaf pastaj me fasho e në fund me qese.

Pikëpyetjet e Policisë dhe kush fshihet vërtetë pas vrasjes?

Mister për blutë e Durrësit mbetet ende se kur ka ndodhur vrasja. Dyshohet se krimi i rëndë që terrorizoi Durrësin këtë të premte të ketë ndodhur më 10 shkurt. Tre ditë më pas djali i Pëllumb Metës, Hyseni ka bërë denoncimin në polici për zhdukjen e të atit. Para se të bënte denoncimin ai kishte folur dhe me një bashkëfshatar ku i kishte treguar se babai kishte tre ditë që nuk ishte kthyer në shtëpi. Denoncimin në polici ai e ka bërë në orën 22:30 të 13 shkurtit. Ndërsa dhjetë ditë më pas, Policia arrestoi Hygerta Metën dhe gjeti trupin e groposur.

Krimi është marrë përsipër nga 19-vjeçarja Hygerta Meta, e cila ishte studente e Fakultetit të Ekonomisë dhe ka deklaruar se arsyeja ishte fakti se ajo nuk dëshironte të fejohej me djalin e zgjedhur nga i ati dhe konfliktet në familje. Por mbetet ende mister se si ajo arriti ta qëllonte të atin dhe më pas të tërhiqte trupin rreth 100 metra nga vendi ku ndodhi ekzekutimi. Policia dyshon se ajo nuk do të mund ta bënte e vetme, vrasjen dhe më pas mbulimin e viktimes me çarçaf e plasmas e më pas ta varroste. Viktima u gjet i zhveshur. Gropa ku ishte groposur Pëllumb Meta ishte rreth 1.5 metra e thellë, prandaj lind pyetje: Si arriti vajza të vriste dhe më pas të hapte varrin e të atit?

Në dëshminë tij, djali i 50-vjeçarit, Hysen Meta ka deklaruar se babai është larguar me makinë më datë 10 shkurt, por kamerat e sigurisë thonë të kundërtën, pasi rezulton se makina është lëvizur një ditë më pas, më 11 shkurt. Grupi hetimor dyshon se makina është lëvizur nga anëtarë të familjes dhe është dërguar në sektorin Rinia ku dhe është gjetur e braktisur. Po ashtu ka nisur puna për gjetjen e ndonjë gjurme brenda mjetit, që mund të çojë Policia tek ndonjë nga familjarët.

Misteri tjetër i kësaj ngjarjeje të rëndë mbetet arma e krimit. Ku ndodhet arma që i mori jetën Pëllumb Metës? Ky i fundit u qëllua katër herë në pjesë të ndryshme të trupit dhe ka humbur jetën menjëherë pas të shtënave. Policia ka nisur kontrollet për gjetjen e saj, por ende asnjë gjurmë. Këtë të premte, Hygerta Meta u dërgua në vendin e krimit, por ajo ka deklaruar se armën e ka hedhur buzë detit pas krimit.

Deri në këto momente vrasja e Pëllumb Metës mbetet ende një mister për Policinë, ndërsa Hygerta Meta, vajza e viktimës ka marrë përsipër krimin. Por dëshmia e saj dhe rrethanat e ngjarjes nuk i kanë bindur hetuesit se ajo ka vepruar e vetme. Familjarët po merren të gjithë në pyetje, ndërsa pyetja që lind është: Kush fshihet pas vrasjes së Pëllumb Metës? Dhe a janë të gjithë fajtorë në krim?/ZËRI

Poll

MOS HUMB