
TIRANË- Shtyhet për herë të dytë seanca në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për dosjen “Metamorfoza”. Shkak këtë të herë është bërë mungesa e avokatit Elidon Hyseni që përfaqëson dy të pandehur në proces. Ndërkohë dosja, “Metamorfoza” është në fazën paraprake ku gjykata do vendosë nëse do kalojë apo jo për gjykim. Ndërsa shumica e të pandehurve në këtë proces kanë kërkuar gjykim të shkurtuar. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK mbylli hetimet për dosjen, më 4 Maj dhe çoi dosjen për gjykim për disa të pandehur, ndërkohë që ndau çështjen për disa të tjerë.
Dosja ‘’Metamorfoza”
Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për një pjesë të anëtarëve të dosjes Metamorfoza, ku personat e dyshuar janë arrestuar pas bisedave në aplikacionet e koduara. Mësohet se akuzat u janë komunikuar deri tani Behar Bajrit dhe Pëllumb Gjokës, ndërsa për disa prej të dyshuarve ka rënë akuza kryesore e grupit të strukturuar kriminal. Ish-shefit të policisë operacionale, Oltion Bistrit, i është hequr akuza e shpërdorimit të detyrës, dhe është akuzuar vetëm për "korrupsion". Por edhe për ish-prokurorin Xhevahir Lita është zbutur akuza, i cili tashmë nuk do të hetohet zyrtarisht për akuzën e grupit kriminal. Ish-zyrtari i drejtësisë do të përballet me gjykatën për akuzën e akuzat e korrupsionit dhe nxjerrjes së sekretit hetimor.
Vetë Lita ka pranuar para hetuesve se ka qenë përdorues i aplikacionit SKY ECC. Hetimet e Metamorfozës kulmuan pas përcjelljes së letërporosisë nga autoritetet franceze, ku rezultoi se në dhjetra biseda, Bajri komunikonte me të zhdukurin me Ervis Martinaj për vrasjen e Gjon Boriçit. Kjo dosje është veçuar nga ana e SPAK, sa kohë që Martinaj prej afro dy vitesh rezulton një person I zhdukur. Në përgjime rezultonte gjithashtu se Martinaj garantonte se do të eliminonte Kleanth Musabelliun për interes të Pëllumb Gjokës. Bisedat dhe provat e mbledhura nga hetimi tregojnë se Astmer Bilali me bashkëpunëtorët e tjerë tentuan dhe siguruan kushte për të vrarë Dorjan Dulin, Ibrahim Licin dhe Genc Tafilin, atentate që dështuan./ZËRI