
TIRANË- Këtë të martë është zhvilluar dëgjesa e dytë publike rreth Planit për Menaxhimin e Parkut Kombëtar të Bylisit dhe qytetit antik të Klosit. Tryeza e diskutimit u mbajt në Teatrin e Operas dhe Baletit, ndërsa pati përplasje qasjesh mes palëve. Plani synon ngritjen e Fondacioni publik, të drejtuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, që ka për synim ruajtjen e vlera të trashëgimisë kultore të Bylisit.
Por sipas deputetes demokrate Ina Zhupa, kjo i hap rrugë, kthimit të menaxhimit të Bylisit me koncension, gjë që u hodh poshtë nga përfaqësuesit e Ministrisë së EKI-së. Po ashtu, Zhupa tha, se parku i Bylisit duhet të futet në trashëgiminë kultorore të UNESCO-s, por kjo sipas saj nuk bëhet pasi në rast se kemi të bëjmë me zhvillimin e zonës me koncension, UNESCO do të ishte një pengesë, pasi do të kërkonte që zhvillimi të vinte nga shtetit shqiptar.
Ina Zhupa: Ky plan i juaji sot për sot tregon se ju keni qëllim që të ia jepni Bylisin AADF-së siç ka marrë Butrintin. Nëse projekti juaj do të ishte ta regjistronit në UNESCO, UNESCO nuk do të pranonte përmes një fondacioni, por përmes shtetit shqiptar. Ndaj e keni anashkaluar UNESCO-n sepse koncensionin nuk e pranon UNESCO.
Kritik ka qenë dhe studiuesi Auron Tare. Ai tha se shteti duhet të forconte institucionet e veta dhe jo ta jepte Bylisin tek një fondacion privat.
Auron Tare: Një plan tjetër menaxhimi thotë se shteti shqiptar forcon institucionet e veta, jo ti jepnit trashëgiminë, fondacioneve private.
I pranishëm në tryezën e diskutimit, zëvendësministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Sokol Duma hodhi poshtë pretendimet se kemi të bëjmë me dhënien me koncension, pasi tha se fondacioni është publik dhe ka për qëllim rujatjen e trashëgimisë kulturore.
Sokol Duma. Nuk do ta çuaja koncension. Thelbi i idesë së fondacionit ishte fondacion publik dhe jo privat, pjesëmarrës dhe themelues do të ishin ministria dhe institucionet shkencore, mes të cilave, Akademia e Shkencave dhe Instituti i Akreologjisë.
Ndërkohë i pranishëm në dëgjesë ishte dhe Ilir Papangoni, nga AICS, i cili është dhe “Team Leader”, i projektit të Bylisit. Ai tha se plani i menaxhimit të Bylisit dhe qytetit antik të Klosit mbështetet në tre shtylla, që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, infrastrukturën turistike dhe me restaurimin e monumenteve.
Ilir Papangoni: Janë tre shtylla kryesore që përmendën në planin e menaxhimit, që janë restaurimi i monumenteve, është pjesa e përmirësimit të infrastrukturës turistike, ndërsa shtylla e tretë është zhvillimi ekonomik.
Ndërkohë, po Papangoni nuk iu përgjigj interesit të gazetarëve për të dhënë llogari në lidhje me investimin prej 6 milion euro të Delegacionit Europian, i dakortësuar mes shtetit shqiptar dhe delegacionit të BE-së në Tiranë në vitin 2019. Investimi do të kryhej në një hark kohor prej 6 vjetësh. Plani i Menaxhimit të Bylisit dhe Klosit shihet si një plan që do të bëjë të mundur menaxhimin e duhur të parkut dhe ngritjes së një qendre multifunskionale. Po ashtu sipas Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ky plan menaxhimi do të sjellë rujatjen e trashëgimisë kulturore./ZËRI