
TIRANË- 30-vjeçari Klaudio Prendi u qëllua për vdekje me armë zjarri gjatë mesnatës, teksa po shkonte drejt makinës së tij. Motivi i vrasjes të së riut ende nuk është përcaktuar, por pistat ku po hetohet janë dy. Sipas informacioneve që janë zbuluar deri më tani nga burime jozyrtare mësohet se i riu kishte pasur së fundmi disa sherre me persona të tjerë dhe ishte larguar nga vendi, për t'u rikthyer vetëm pak ditë më parë. Por, po ashtu, po hetohet edhe konfliktet që mund të ketë i ati, Fran Prendi, ish-gjyqtar.

Po kush është Fran Prendi?
Fran Prendi e nisi karrierën në Gjykatën e Pukës në 1995, kur edhe pati emërimin e tij të parë. Në vitin 2006, u transferua në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe për një periudhë shumë të shkurtër kohore ka qenë edhe gjyqtar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organiuzar. Fran Prendi u dorëhoq nga sistemi i drejtësisë në 3 nëntor të vitit 2020, pas nisjes së procesit të Vettingut. Për shkak të pozicionit si gjyqtar tek Krimet e Rënda, Prendi ka pasur në ngarkim shumë dosje të bujshme; nga dosja 339; grupi i Emiljano Shullazit, dënimi i Salvatore Lettizias, anëtar i Camorras italiane, për masakrën me tre viktima në bulevardin “Zogu I” në vitin 2015; vrasjen e koleges gjyqtare Fildez Hafizi, e cila u ekzekutua nga i shoqi. Por është edhe gjykatësi që liroi nga burgu Arben Frrokun, i akuzuar për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamajt.
Por kur kishte kaluar në GJKKO, vendosi që të mos i nënshtrohej Vettingut.
“Arsyeja e dorëheqjes ka qenë angazhimi në një aktivitet privat,”- shpjegoi për BIRN asokohe koordinatori për të drejtën e informimit pranë KLGJ-së, Elis Kuçi.
Pas këtij vendimi, Prendit i ndalohej riemërimi në institucionet e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme./ZËRI