
TIRANË- Në orën 12 pritet që të nisë mbledhja e Këshillit të Mandateve, ku do të diskutohet në lidhje me kërkesën e SPAK, që Kuvendi të autorizojë arrestimin e Sali Berishës.
5 deputetët e opozitës që janë pjesë e Këshillit të Mandateve kanë mbajtur qëndrime të ndryshme në lidhje me praninë në mbledhjen e sotme. Gazment Bardhi, Saimir Korreshi dhe Ervin Salianji kanë deklaruar se do të mungojnë në mbledhjen e ditës së sotme.
Ndërkohë që Enkelejd Alibeaj dhe Greta Bardeli pritet që të jenë të pranishëm në këtë mbledhje. Pak para se të nisë seanca në Kuvend, mbështetësit e Berishës do të protestojnë përpara ambienteve të Kryesisë.
Burime bëjnë me dije për Zërin se protesta e sotme pritet që të ketë masa të shtuara sigurie, ku rreth 700 efektivë do të sigurojnë godinën e Kryesisë, ku do të jenë të pranishëm dhe prokurorët e SPAK që kërkojnë arrestimin e Berishës.
Vetë Berisha nuk ka bërë me dije nëse do të jetë i pranishëm në mbledhje, për t’u përballur me prokurorët, të cilët ka zgjedhur që ti akuzojë në çdo dalje të tij publike.
/ZËRI