
ELBASAN- Dy gjeorgjianë janë shpallur në kërkim nga Policia pasi kanë mashtruar në një pikë këmbimi valutor në Elbasan. Dy shtetasit e huaj, të identifikuar vetëm me inicialet L.G. dhe L.P., kanë hyrë në një pikë këmbimi dhe kanë dorëzuar 40 milionë lekë të vjetra të falsifikuara. Këto para i kanë marrë në euro, rreth 40 mijë dhe më pas janë larguar.
Kallëzimi është bërë nga pronari i pikës së këmbimit valutor, ndërsa dy të huajt akuzohen për veprat penale "Mashtrimi" dhe "Falsifikimi i monedhave". Megjithatë, deri më tani nuk dihet nëse të huajt kanë arritur që të largohen nga territori i Shqipërisë bashkë me paratë.
POSTIMI I PLOTË:
Si rezultat i veprimeve intensive hetimore të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Elbasan, pas kallëzimit nga pronari i një exchange, se 2 shtetas e kishin mashtruar në exchange, duke këmbyer një shumë parash nga lekë në euro, me kartëmonedha të falsifikuara, kanë bërë të mundur identifikimin e 2 autorëve të rastit. Në vijim të veprimeve u shpallën në kërkim shtetasit gjeorgjianë L. G., 49 vjeç dhe L. P., 46 vjeç, për veprat penale "Mashtrimi" dhe "Falsifikimi i monedhave". Këta 2 shtetas, më datë 01.06.2024, në subjektin exchange në pronësi të shtetasit A. A., kanë këmbyer 40 milionë lekë, në 40 000 euro, me kartëmonedha të falsifikuara./ZËRI