
TIRANË- Ambasada e SHBA-ve në Tiranë, ka reaguar pas operacionit të policisë, që çoi në arrestimin e një 20-vjeçari, që mashtronte me mundësinë për bursa studimi në SHBA. Projekti në fjalë iu prezantua gjimnazistëve në shumë shkolla të vendit, ndërsa ishin të përfshira dhe vetë zyrtare të Ministrisë së Arsimit, që mbështesnin këtë program.
REAGIMI I AMBASADËS
Ambasada e SHBA falenderon Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Tiranës dhe i përgëzon për bashkëpunimin me Njësinë e Hetimit Kriminal Ndërkombëtar të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë. Njësia e Hetimeve Kriminale Ndërkombëtare dhe Departamenti i Hetimeve Kriminale të Policisë së Shtetit kanë një njësi të posaçme që kryen hetime të përbashkëta.
Një hetim gjashtë-mujor nga kjo njësi speciale kulmoi me arrestimin e djeshëm të një individi që mashtronte duke paraqitur programe si të lidhura me ambasadën dhe prodhonte dokumente që mbanin vulat dhe emrat e zyrtarëve të ambasadës.
Ambasada falënderon Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, Drejtorin e Policisë Kriminale Neritan Nallbati, kreun e Prokurorisë së Tiranës Arenc Çela, prokuroren e çështjes Eloida Goxhi dhe oficerët e përkushtuar të Policisë së Shtetit për ndihmën e dhënë për këtë çështje.
Pas 6 muajsh hetime, policia e shtetit njofton se ka arrestuar një 20-vjeçar, Ermes Hoxhalli, për skemën e mashtrimit me vizat amerikane, që iu premtoheshin gjimnazistëve me rezultate të larta në Shqipëri. Më 6 qershor, përmes një deklarate Ambasada e SHBA-ve në Tiranë njoftoi se projekti i njohur si “Let’s Talk Together About US24”, po mashtronte duke pretenduar se financohej nga qeveria amerikane, pasi ai nuk kishte asnjë lidhje me Ambasadën e SHBA dhe Departamentin e Shtetit të SHBA.
Ditën e sotme, Policia njofton se ka arrestuar një 20-vjeçar nga Devolli, i cili sipas tyre ka qenë i përfshirë në një skemë të madhe mashtrimi, me objektiv sistemin arsimor në te gjithë vendin.
Programet iu premtonin nxënësve dhe mësuesve, udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara. I arrestuari E. H. kishte krijuar një identitet të rremë, duke u angazhuar me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe të institucioneve të tjera arsimore në të gjithë Shqipërinë. Qindra studentë, mësues dhe zyrtarë arsimorë në të gjithë Shqipërinë morën pjesë në këto programe mashtruese.
Më herët për rastin e mashtrimit ishte vënë nën hetim Valentina Lamaj, zyrtare në drejtorinë rajonale të Arsimit në Tiranë, si dhe një bashkëpunëtore e saj. Hetimet u nisën pas një paralajmërimi nga Ambasada Amerikane në Tiranë, ndërkohë që dhjetra gjimnazistë denoncuan pranë ZËRI-t, se ishin bërë pjesë e kësaj skeme mashtrimi, duke dhënë projektidetë e tyre, si dhe të dhënat personale. Atyre iu ishte premtuar se personat që do të paraqisnin projektet më të mira, do të merrnin bursa studimi në Shtetet e Bashkuara. Në krye të skemës qëndronte një personazh me emrin Klea Rama, të cilën gjimnazistët nuk e kishin takuar kurrë nga afër. Në rrjetet e saj sociale, ku përdoreshin foto joreale, Klea Rama pretendonte se ishte mbesa e kryeministrit shqiptar. Ajo që e bën alarmante të gjithë këtë histori, është se ky projekt mashtrimi arriti që të depërtojë lirshëm në të gjitha shkollat, madje dhe me vetë bekimin e zv.ministres së arsimit, Nina Guga. /ZËRI