MAT- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në Mat, ku një 75-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e djegies nga flakët. Ngjarja ndodhi në Zenisht të Matit.
Burime bëjnë me dije për ZËRI-n se i moshuari i vuri zjarrin tokës, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe ai u dogj edhe vetë.
Ndonëse 75-vjeçari u dërgua me urgjencë në spitalin e Burrelit dhe më pas në Tiranë, ai nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.
NJOFTIMI I POLICISË: Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, referuan materialet në Prokurori për vlerësim, pasi me datë 21.07.2024, shtetasi N.N., 75 vjeç, duke kullotur bagëtitë në fshatin Zall Shoshaj, ka ndezuar një zjarr ku për shkak të erës, zjarri është përhapur duke djegur një sipërfaqe toke me bimësi.
75-vjeçari, në përpjekje për të izoluar flakët e zjarrit ka pësuar djegie të shumta në trup, i cili ditën e djeshme ka humbur jetën në spital.
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër apelon për të gjithë qytetarët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi vënë në rrezik jetën e tyre dhe të qytetarëve.
Prej disa javësh, Ministria e Mbrojtjes iu ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin zjarret në tokat bujqësore, që janë bërë shpesh shkak për djegien e sipërfaqeve të mëdha të pyjeve apo kullotave.
Aktualisht në vendin tonë 21 vatra zjarri janë regjistruar në 24 orët e fundit. 18 prej tyre janë shuar falë përpjekjeve të vazhdueshme të qindra forcave operacionale që po punojnë në terren, në këto temperatura të larta. Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile 3 vatra zjarri janë ende aktive./ZËRI