
TIRANË- Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar këtë të mërkurë me burgim të përjetshëm Laert Haxhiun, në lidhje me masakrën me dy të vrarë në vitin 2017 në Lushnjë. GJKKO pranoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, e cila kërkoi burg përjetë për Haxhiun. Seanca u zhvilluan në mungesë të tij. Me burgim të përjetshëm për masakrën e Lushnjës janë dënuar më herët bashkëpunëtorët e Haxhiut, Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili.
Laert Hxhiu u arrestua në Greqi në maj të vitit 2023, 6 vjet pas masakrës me dy të vrarë në Lushnjë. Gjykata e Apelit në Janinë i ka hapur rrugë ekstradimit të tij në Shqipëri. Laert Haxhiu ka ende edhe një mundësi të fundit në shtetin grek për të kundërshtuar vendimin e ekstradimit në Gjykatën e Lartë.
“Masakra e Lushnjes” ka ndodhur në shtator të vitit 2017. Shënjestër ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, por të vdekur mbetën Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi. Laert Haxhiu akuzohet nga autoritetet shqiptare për 16 vepra të ndryshme penale, që përfshijnë vrasje, atentate, plagosje, grabitje e shumë të tjera, të kryera në formën e grupit kriminal. Dosja u zbërthye pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Marjus Tafani. Laert Haxhiu u arrestua në Selanik të Greqisë dhe është në pritje të vendimit të gjykatës greke, nëse do të ekstradohet në Shqipëri./ZËRI