Aktualitet

Masakra e Elbasanit dhe alarmi për ne të tjerët

Në një vend normal, sot qeveria duhet të ishte në këmbë. Ministri që kujdeset për mjedisin, do kishte dërguar të gjitha shtrukturat shtetërore që bëjnë matjet mjedisore dhe do mbante në kontroll situatën.

Zëri
Masakra e Elbasanit dhe alarmi për ne të tjerët
Zjarri ne Elbasan

Në Elbasan ka 2 ditë që konsumohet një masakër mjedisore e përmasave të rralla për një vend kaq të vogël sa ky yni. Zjarri i rënë para dy ditësh, ka shkaktuar një ndotje toksike të niveleve të pamatshme, dhe ende nuk është vënë në kontroll të plotë nga zjarrfikësit e Elbasanit dhe qyteteve të tjera.

E megjithëse tymi kapi qiellin, shumica e strukturave shtetërore që ka për detyrë të merret me këtë çështje, heshti tërësisht. I vetmi që ka bërë një gjysëm prononcimi publik, është drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako, edhe ai i nxitur nga interesimi i disa mediave.

Disa, sepse edhe ato vetë, ndoshta të ndikuara nga reklamat bujare të Kurum, ndërmarrjes turke që ka zëvendësuar ish Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit, ose e kanë pasqyruar në mënyrë të ftohtë ose nuk e kanë pasqyruar fare një ngjarje që nuk ka sesi të fshihet.

Akoma më keq është populli i rrjeteve sociale, që po ti hedhësh sytë, nuk gjen më shumë sesa disa reagime sporadike, nga njerëz që për fat, mjedisin e kanë ende çështje prioritare.

Që Elbasani mbetet nga zonat më të ndotura në Shqipëri, kjo tashmë dihet. Që cilësia e ajrit dhe pasojat shëndetësore në atë qytet janë në parametrat më të ulët europian, edhe kjo dihet. Që kjo situatë ka dekada e dekada që vazhdon pa asnjë ndryshim, nuk ka nevojë as për të qenë gazetar apo historian për ta shënuar.

Madje nuk ka nevojë as për zjarr e as për tym, për të kuptuar se mu në mesin e Shqipërisë, po zhvilohet ende e kësaj dite, një masakër mjedisore që duhet të ndalojë sa më parë. Ajo që kemi parë këto dy ditë e dy netë, me flakë e tym, është vetëm pjesa më e dukshme e një ndotjeje toksike që vazhdon prej vitesh e askush nuk merr masa.

Në një vend normal, sot qeveria duhet të ishte në këmbë. Ministri që kujdeset për mjedisin, do kishte dërguar të gjitha shtrukturat shtetërore që bëjnë matjet mjedisore dhe do mbante në kontroll situatën. Një ministër tjetër, do kujdesej të bënte transparencë për publikun, për zjarrin e tymin por edhe për nivelin alarmant të cilësisë së ajrit. Një tjetër do kujdesej të niste një hetim i gjithanshëm për atë që po ndodh në atë ndërmarrje që ka gjunjëzuar një qytet të tërë nën dhunën e ndotjes toksike. Një tjetër akoma, do kujdesej që analizat shëndetësore të bëheshin masivisht, për të parë se deri në cilën pikë është shtrirë pasoja e helmit toksik që vazhdon prej vitesh.

Ndërsa Kryeministri, do kishte shpallur një plan përfundimtar për kontrollin e investimeve që Kurum duhet të bëjë për eleminimin total të ndotjes brenda një afati emergjent, në të kundërt do kërcënonte me mbylljen e plotë të asaj ndërmarrje dinozaur që po vret përditë e çdo ditë.

Sot vrasësi serial më i madh në vend, është pikërisht ndotja në Elbasan. Vret dhe pa zjarr e pa tym. Vret se investimet për eleminimin e ndotjes janë zero. Vret se kontrolli nga strukturat shtetërore është zero. Vret se sensibiliteti ynë kolektiv për çështje të tilla është zero.

Me shumë gjasë, të kishte ndodhur në ndonjë shtet tjetër, jo afër nesh domosdoshmërisht, do kishim vrapuar të solidarizoheshim. Mbase qeveria do nxirrte dhe një vendim urgjent për ndihmën e popullit mik kudoqoftë. Por këtu, 20 km larg qendrës së Tiranës, nuk shohim as zjarrin e as tymin, as masakrën mjedisore që po i merr frymen një qyteti të tërë dhe po shkakton pasoja shëndetësore që sot as i llogarisim dot, në Elbasan, Tiranë e të gjtiha qytetet rreth e rrotull.

Ndërsa dje u morëm me pantallonat dhe këpucët e Flamur Nokës majë hekurave të Kuvendit, do kishim shpëtuar vite jetë të ndokujt, në qoftë se do bërtisnim sa duhet për masakrën e Elbasanit, që po na vret të gjithëve në sytë tanë.

Ajo është nga ato masakra që nuk njeh as parti, qeveri, as opozitë, as non grata e as bojkot. Dhe deri tani nuk ka njohur as Prokurori, as hetime, as SPAK. E sigurtë ama që kompania ka njohur miliona fitime, mjedisi ndotje ekstreme e qytetarët vetëm pasoja fatale shëndetësore. E kështu do vazhdojë në qoftë se nuk merremi seriozisht./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB