
TIRANË- Komisioni i Sigurisë ka ndërprerë punimet edhe sot për shkak të ndërhyrjes së deputetëve të opozitës. Sot, në rendin e ditës pritej që të diskutohej lidhur me marrëveshjen e nënshkruar me Italinë për emigrantët, por maxhoranca nuk ia ka dalë që të zhvillojë një mbledhje normale pasi deputetët e opozitës hynë në sallë dhe u ulën në vendet e kolegëve. Në vend të Nasip Naços, në karrigen e drejtuesit të mbledhjes ishte ulur Flamur Noka, duke mbajtur edhe një fjalë të shkurtër.

“Ne duam të lulëzojë biznesi i ndershëm shqiptar, jo mafia. Ne duam marrëveshje kundër krimit. Marrëveshja e dytë për të shenjtëruar votën e lirë, marrëveshja e tretë është për të luftuar korrupsionin, pasi Shqipërinë e shfarosët duke e shpopulluar. Marrëveshja e katërt për të luftuar krimin pasi Shqipëria po shpopullohet nga korrupsioni dhe paligjshmëria. Këto janë marrëveshjet që duan shqiptarët, jo ato që duan barbarët. Prej 10 vitesh jeni vetëm barbarë. Tani e keni kthyer edhe në një Ruandë.”- dëgjohet të thotë deputeti Flamur Noka, i ulur në karrigen e Nasip Naços, drejtuesit të Komisionit të Sigurisë.
Ndërkohë që kryetari i komisionit, Nasip Naço qëndronte në këmbë, deputetët e Partisë Demokratike morën fjalën me radhë, edhe pse pa mikrofon e dhanë mesazhin e tyre. Por gjithashtu nuk munguan as debatet, më konkretisht mes deputetit demokrat Edmond Spaho dhe atij socialist, Vullnet Sinaj.
BISEDA NË SALLË:
Salianji: Do e vazhdoni online?
Naço: Të nderuar kolegë, miq, gazetarë, të ftuar, duke qenë se situata është tejet e qetë *nuk kuptohet çfarë thotë nga zhurma.
Bardhi: Nasip të ka bojkotuar edhe PS-ja sot.
Edmond Spaho: Përgjegjësa jeni dhe ju nuk është vetëm Edi Rama. Kemi folur sa kemi plasur, kjo po na shkon mbrapa. Lejoni të krijohen komisione parlamentare.
Naço: Na lini...
Noka: Jeni shndërruar në kartona dhe jo deputetë, prandaj jeni në këtë gjendje.
Edmond Spaho: Arroganca rritet kur edhe servilizmi, heshtja, nënvlerësimi nga ana juaj ka arritur në atë shkallë sa jo vetëm bëni veprime të papranueshme, por e shoqëroni me buzëqeshje dhe eufori. Keni dhe ju përgjegjësi. Po të ishit parimorë nuk do arrinim këtu. Ndaj reflektoni dhe kërkoni që të kthehet Parlamenti në normalitet. Kjo na shkoi mbrapa. Akoma të flasim?
Vullnet Sinaj: Hajde pra flasim.
Edmond Spaho: Ia keni vënë vizën 43 deputetëve dhe nuk na jepni Komisioni për Reformën Zgjedhore, ia keni hequr vizën 43 deputetëve.
Naço: Ne do vazhdojmë
Baçi: Kjo është mbledhje e rëndësishme.
Noka: Bëjeni tek zyra e Lindës.
Salianji: Zoti Nasip...
Edhe pse kërkuan që mbledhja të vazhdonte në prani të tyre, Naço njoftoi kolegët se mbledhja do të mbahej online në orën 12.00./ZËRI