Aktualitet

Vrasja e Malkos, Teta "zbërthehet" në Gjykatë: Martinaj dhe Mihasi më kërcënuan, më thanë që do më murosnin

Blendi Teta ka ndryshuar dëshminë e tij në Gjykatë, pasi fillimisht ka deklaruar se kishte pikasur vëllezërit Duka që po vëzhgonin mjetin BMW të Santiago Malkos

E.K
Vrasja e Malkos, Teta "zbërthehet" në Gjykatë: Martinaj
Santiago Malko

TIRANË- Blendi Teta, i dënuar me 25-vite burg për vrasjen e Santiago Malko ka dhënë dëshmi të reja në sallën e gjyqit në Gjykatën e Posaçme, ku ka zbuluar dhe raportet që ka pasur me Ervin Martinajn, bosin e zhdukur të lojërave të fatit, si dhe vëllezërit Duka.

Në ndryshim nga dëshmia e dhënë pas arrestimit në vitin 2019, ku pranonte se kishte dijeni për vrasjen e Malkos, tashmë Teta pretendon se nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e ish-policit, që dyshohet se i shërbente Martinajt.

Procesi në GJKKO është duke u zhvilluar në mungesë për disa prej të dyshuarve të klanit Duka, që janë Leonard dhe Elis Duka, Fatmir Hyseni, Oltion Logu, Aleksandër Manxhaku dhe Dritan Agaj. Leonard Duka u arrestua në muajin Shkurt të këtij viti në Belgjikë, por ende nuk është bërë i mundur ekstradimi i tij. 

Teta ka deklaruar se nuk kishte njohje me Santiago Malkon, dhe vëllezërit Duka i njihte nga një marrëdhënie biznesi që ata kishin pasur. Teta i kishte shitur vëllezërve Duka dhe Ervis Martinajt, një kompani bastesh që kishte pasur në pronësi.

“Nuk e njoh Santiago Malkon dhe nuk kam asnjë dijeni për ngjarjen e 27 gushtit 2019. Në atë kohë kam qenë në Shqipëri. Në datë 27 unë kam qenë për një drekë në zonën e Freskut. Në atë kohë isha menaxher i kompanisë së llotove të Vëllezërve Duka për Tiranën. Ata i kam njohur 3 vite më pas, pasi ju kam shitur atyre dhe Ervis Martinajt kompaninë time të basteve sportive. Në darkë më ka dërguar me makinën e Ervis Metanit sepse makinën time e kishte marrë shoqja ime e cila kishte shkuar në Kavajë për punë personale.

Në darkë me Leonard dhe Elis Dukës, Fatmir Hysenit, Oltion Logut, Aleksandër Manxhakut, të gjithë ishim menaxher për qarqe të ndryshme të lojërave të fatit. Kam shkuar tek dreka rreth orës 17:00 dhe kam qëndruar deri nga ora 19:30 ose 19:45 jam larguar. Ngaqë nuk kisha makinë i kam kërkuar Ilir Selmanit të më shoqëronte me makinën e punës që ishte “Skoda” e bardhë dhe e përdorimin për të transportuar tavolinat e llotove.

Selmani më ka shoqëruar deri sa të gjeja një taksi. Kemi kaluar tek komisariati 4 dhe më pas kam shkuar tek spitali i Fëmijëve. Njëra taksi ishte e prishur dhe një shitje e kioskës më tha prit 5 minuta se vjen taksia tjetër. Theksoj që celularin e kisha të fikur. Duke qëndruar aty kam dashur të shkoj në tualet. Aty në një lokal përbri spitalit 5 nuk kishte tualet dhe jam fut tek spitali brenda për nevojat personale”, është shprehur Teta për vrasjen e ndodhur në 27 Gusht 2019. 

Me ndërhyrjen e gjykatës Teta tha: Nuk kam hyrë në spitalin e fëmijëve por tek spitali 5. Më të mbërritur taksia jam nisur drejt banesës së shoqes sime, në Don Bosko. Ndërkohë familjen i kam me banim në afërsi të Liqenit të Thatë. Aktivitetin e llotove e ushtroja që nga 2005-në shtator të 2019. Vrasjen e kam mësuar disa ditë me vonë në gazeta. Më pas kam marrë informacion që isha në kërkim për lojërat e fatit dhe jam larguar për në Golem aty ku kam qëndruar deri në datë 13 shtator.

Dua të sqaroj që me Ervis Martinajn dhe Vëllezërit Duka kam pasur të njëjtin raport, çështje llotosh. Gjatë kohës që isha në Golem taksisti që përdorja shpesh dhe që rrinte poshtë shtëpisë së shoqes sime më ka treguar se policia më kishte kontolluar shtëpinë.

Më shoqen nuk flisja se ajo kishte frikë ngaqë kishte shku policia. Ndërsa me gruan dhe fëmijët nuk kisha folur. Kur jam kthyer në Tiranë më datë 13 më ka arrestuar policia, aty nuk kam dhënë deklarime të nesërmen më kanë dhënë me firmos ca letra dhe më thanë që janë letrat e avokatit. Unë nuk kam lidhje me këtë ngjarje, as e njoh Santiago Malkon". 

Më pas Blendi Teta ka kërkuar që të bëjë një deklarim në seancë, ku ka pranuar se është kërcënuar nga Ervis Martinaj, në mënyrë që të tregonte për vëllezërit Duka.

Teta: Dua të sqaroj e nderuar gjykatëse që edhe pse e dija që isha në kërkim për llotot unë lëvizja. Në datën 8 ose 9 shtator të 2019 Ervis Martinaj ka kërkuar të më takojë. Për këtë gjë ai me ka sjellë për të më takuar një nga çunat e tij me emrin Arbër. E kam takuar Martinajn po atë ditë tek ETC në një lokal në kat të dytë.

Ai ishte aty me disa nga anëtarët e grupit të tij mes tyre edhe Erigers Mihasi (person i vrarë). Aty Martinaj më tregoi videon time kur po prisja taksinë pranë spitalit. Aty më kërcënuan dhe më kërkoi të tregoj për vëllezërit Duka. Më pas më ka marrë dhe nën kërcënimin e armëve më kanë dërguar në një bodrum në Sauk. Aty më kanë kërcënuar duke më thënë të tregoja se kush ishte i përfshirë në ngjarjen e Malkos dhe se ku rrinin Vëllezërit Duka.

U kam sqaruar se nuk di asgjë, Martinaj dhe grupi i tij më kërcënuan se do më vrisnin dhe do më murosnin. Më pas ata më kanë lënë të lirë. E nderuar Gjykatë dua që t’i bëj një pyetje prokurorit. A mund të më thoni kush është personi me pseudonimin “Tigri” tek SKY ECC që ka dhënë 500 mijë euro për të fundosur Vëllezërit Duka?

Gjykata i kërkoi shpjegime për këto informacione dhe Teta u shpreh se i ka mësuar duke qenë se ka 4 vite në burg për këtë çështje. 

Në dëshminë e tij të parë, dhënë më herët në ambientet e Gjykatës, Teta ka pranuar se vetë ai e kishte kuptuar që vëllezërit Duka ishin në ndjekje të makinës BMW në pronësi të Malkos.

“Pasi darkuam në Fresk ndaluam në Porcelan. Në këtë vend, L dhe E, po shihnin BMW X5. Makina ishte e parkuar. Në këtë moment ka dalë roja i kantierit që tha të mos parkonim aty. L eci dhe disa metra. Unë zbrita dhe piva një cigare. I thashë L: Do të largohem. E kuptova që po ndiqnin BMW X5 dhe se do të ndodhte diçka. Më tha: Pse do të ikësh. I thashë: do të iki sepse s’kam lidhje me këtë punë.

Shkova tek lokali pranë spitalit, tek 5-a dhe pashë I.S që ka zbritur nga makina. Më pas hyra tek kioska dhe bleva ujë. Mora një taksi dhe shkova tek bashkëjetuesja ime, në Don Bosko. Lashë taksinë, para hotel “Ferrara”. Pas 15 minutash që pashë tv, mora vesh për atentatin. Aty kuptova që bëhej fjalë për të njëjtën makinë që po ruhej nga I.S, L.D, E. D si edhe personat që ishin në automjetin Golf 5 ngjyrë gri me targë AA221XB. Të nesërmen dola në Fresk, por s’takova asnjë prej tyre, përveç shtetasit E.M, i cili më tha se kishte problemin e golf 5 ngjyrë gri, e cila ishte në emrin e tij, por përdorej nga E dhe L”, ka thënë Teta në dëshminë e tij të parë, pas arrestimit.

I bashkëpandehuri tjetër Ilir Selmani i cili u dënua me 28 vite burg, kishte sjellë një deklaratë ku theksonte se ishte i sëmurë dhe se do të vinte për të dhënë shpjegime në gjykatë në seancën e radhës.

Po ashtu prokuroria kërkon që të thirret edhe Adjan Ahmeti pasi nuk është bërë e mundur të gjendet. Seanca e radhës do të zhvillohet në 19 dhjetor, po në ambientet e GJKKO.

/Zëri 

ZERI POLL

Ku do t'i kaloni pushimet për këtë verë?

  • Në Shqipëri
  • Do udhëtoj jashtë vendit
  • Jam i/e pavendosur
  • Nuk do të bëj fare pushime

MOS HUMB