Aktualitet

Manovrat e Zotos dhe Mërtirit/ I ‘blenë’ vilë punëtorit të krahut, Fatos Bunoca e gjeti veten pronar

Si u përdor punëtori i krahut për të pastruar paratë e Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit

E.K
Manovrat e Zotos dhe Mërtirit/ I ‘blenë’ vilë
Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri

TIRANË- Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, pronarët e vërtetë të inceneratorëve, kanë kryer një sërë makinacionesh me kompani nënkontraktore, të cilat i krijonin në mënyrë që të fshihnin gjurmët nga transaksionet e tyre bankare.

Në dosjen e siguruar nga ZËRI është një episod ku Klodian Zoto shet 100% të aksioneve të kompanisë “F.M.O’ shpk tek shtetasi Arenc Myrtezani, i cili më pas ia ka shitur shtetasit Fatos Bunoca, për vlerën e 100 mijë lekëve. Vetëm 9 ditë pas shitjes së aksioneve, Bunoca emërohet drejtor i përgjithshëm i ndërmarrjes, edhe pse në fakt ai rezulton i punësuar në disa kompani të tjerë, si punëtor krahu apo punëtor ngarkim shkarkimi.

As vetë Bunoca me gjasa nuk do ti kishte besuar skenarit që Zoto dhe vartës të tij, kishin thurur. Në dosjen e SPAK, thuhet gjithashtu se kontributet e të punësuarve te kompania F.M.O i llogariste shtetasja Julia Demneri, e cila nuk ia dërgonte Fatos Bunocës, pronarit të deklaruar në QKB, por ia dorëzonte shtetasve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.

Po ashtu Demneri njoftonte dy bosët e inceneratorëve edhe për detyrimet që kishin me drejtorinë e tatimeve. Në emër të kompanisë që “drejtohej” nga Fatos Bunoca, Zoto e Mërtiri do të blinin një njësi banimi në qytetin e Durrësit, me vlerë 4 milionë euro, me sipërfaqe 2223 metra katror. Duke qenë se kontrata për blerjen e kësaj njësie ishte me rezerva, dhe kompania F.M.O nuk ka arritur që të paguajë të gjithë shumën në kohë, ka marrë vetëm sipërfaqen takuese 611 metër katror, që përkonte me pagesën e kryer 1.1 milionë euro.

“Në rrethanat e mësipërme sipas prokurorisë rezulton se pronarët ‘De Facto’ të shoqërisë F.M.O shpk, janë shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët rezultojnë se janë edhe pronarët e pasurisë së paluajtshme të blerë në shumën 1.1 milionë euro, por që për të humbur gjurmët kanë përdorur shtetasin Fatos Bunoca, për të kryer aktin e blerjes së saj”, thuhet mes të tjerave në dosjen e GJKKO siguruar nga ZËRI.

Poll

MOS HUMB