
PRISHTINË- Vrasja e Liridona Murselit (Ademajt) është kuptuar së pari nga familjarët e saj. Njëri nga vëllezërit e Liridonës, Leonard Ademaj në një intervistë të dhënë për "RTK", ai tha se kunati i tij, Naim Murseli e kishte njoftuar për vdekjen e të motrës. Ditën e varrimit e ka thirrur në të njëjtin numër, të cilin një ditë më herët Naimi i kishte thënë se ia ka vjedhur grabitësi, por të nesërmen nuk ia hapi.
Dyshime të tjera nisën kur kunati nuk donte që Leonardi ta shihte kufomën e të motrës, ndërsa në morg i kishin dhënë florinjtë e të motrës, të cilat duhet t'ja kishin marrë grabitësit nëse donin vërtetë që ta zhvasnin.
“Edhe Naimin e kem marrë edhe shkuam me pa. Po tha mundësinë me pa Liriodnën veç nëse keni probleme shëndetësore mos e këqyrni. Thash jo more unë jam rritë me të, dua me pa. Ai nuk dëshironte me hi me pa. Aty filluan edhe dyshimet tjera. I tha djali i mixhës ec Naim se s’bon kështu ke jetu 13 vjet me të. Kur shkova në mjekësin Ligjore ne i thanë Naimit, arin edhe gjerat me vlerë çka ka pas Liridona i ke brenda. Nëse hajnat e kanë vjedh, Liridona ka pasur ari shumë, ia kishin marrë arin. Por, jo arin tha e ke këtu. Nuk e dimë pse e ka vrarë. Liridona ka pasur sigurime në Suedi. Sigurimi në Suedi paguan shuma marramendëse nëse i ndodhë një fatkeqësi njërit ose tjetrit prind. Ose mund me kon që ka mundur me mbet pa pare, me pas borxhe edhe me privuar nga jeta motrën tonë me ja marrë paret e sigurimit,”-tha ai.
Leonardi tregon se çfarë i kishin thënë fëmijët në momentin e vrasjes së inskenuar përmes grabitësve.
“Atë ditë ka ndodhur krejt rasti. Djali e kish pas shtrënguar dorën shumë. Kur jam shkuar në polici mu ka ofruar më ka përqaf, dajë tha hajni mi ka lyp paret po unë s’ia kom dhënë e ka qel dorën i kish pas paret aty. Pastaj më tha se mamin e kishin harruar në veturë,"- rrëfen ai.
Krimi i rëndë ndodhi mbrëmjen e 29 nëntorit, rreth orës 20:26, në rrugën “Dalip Alshiq”, në Prishtinë. Rasti fillimisht u raportua si grabitje, por pas 48 orëve u zbulua se urdhri për ekzekutimin e të resë ishte dhënë nga vetë bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli. Ai e ka paguar Granit Plavën 30 mijë euro për vrasjen e gruas së tij. 15 mijë ia kishte dhënë para vrasjes, dhe 15 të tjera do ia jepte në përfundim të krimit. Plava e ka pranuar fajësinë për vrasjen e 30-vjeçares, duke thënë se Naim Murseli e kishte porositur. Në pranga ka rënë dhe Kushtrim Kokalla, i afërm i Murselit që akuzohet si bashkëpunëtor në krim./Zëri