
TIRANË- Prej afro një muaji, efektivëve të Policisë Shqiptare, veçanërisht atyre në nivele drejtuese dhe atyre që kanë akses në informacione sekrete apo të klasifikuara, u është kërkuar të shkarkojnë një aplikacion gjerman. Kështu raporton "Weblajm". Sipas burimeve të sigurta, raportohet se aplikacioni më i përdorur në radhët e uniformave blu është “StashCat”.
Por çfarë është StashCat?
Stashcat është një platformë e sigurt dhe enkriptuar për ndarjen e mesazheve, e cila përdoret nga grupe të ndryshme; organizatat, institucionet qeveritare, institucione financiare, kujdes shëndetësor, media, shitje me pakicë apo dhe forcat e sigurisë. "Stashcat" është aktualisht në përdorim në mbi 8,500 kompani, autoritete dhe institucione.

Kompania është themeluar në vitin 2016, në Hannover, Gjermani. Softueri funksionon në telefona inteligjentë, tableta dhe PC dhe mund të përdoret nëpërmjet Android ose iOS. Klientët e synuar të kësaj platformë janë autoritetet me detyra sigurie, si psh: ushtria dhe kompanitë dhe korporatat e mëdha. Në fund të vitit 2020, Stashcat u përdor nga 50,000 ushtarë gjermanë të Bundesëehr-it dhe në mbi 6,500 shkolla.
Karakteristikat kryesore
- Kriptim me siguri maksimale.
- Serverë në BE, duke respektuar rregullat e privatësisë (GDPR).
- Kanale dhe grupe për organizimin e komunikimit.
- Cloud storage i integruar për ruajtjen dhe ndarjen e skedarëve.
- Administrim qendror për menaxhim të përdoruesve dhe të dhënave
Stashcat është i papërshkueshëm nga hakeruesit dhe ju lejon të shkëmbeni mesazhe me tekst, foto, video, kontakte dhe skedarë të tjerë midis dy ose më shumë pajisjeve. Që në tremujorin e parë të vitit 2020, softueri ofroi edhe mundësinë e telefonisë me zë dhe video si dhe video-konferenca me ndarje të ekranit./ZËRI