UKRAINË - Deputeti i PS Pandeli Majko, ka njoftuar përmes një postimi në rrjetet sociale, se dy shqiptarë, që kanë luftuar në luftën e Ukrainës, janë vrarë në luftime.
Majko shprehet se është njoftuar nga konsulli i Shqipërisë në Ukrainë, Omarov Shakhin, se 43-vjeçari Dermentli Anatoly, me origjinë shqiptare nga fshati i Karakurtit, si dhe 21 vjeçari Haydarzhy Danylo, me prindër shqiptarë nga fshati Georgivka në rajonin e Zaporozhias, janë vrarë gjatë luftimeve me ushtrinë ruse.
Dy të rinjtë janë përcjellë në banesën e fundit me flamurin e Ukrainës, por edhe atë shqiptar.
POSTIMI I PANDELI MAJKOS:
Konsulli i Shqipërisë në Ukrainë, Omarov Shakhin, sapo më shkruajti për një lajm të hidhur. Ukraina, nga sot, ka edhe dy djem, nga rradhët e diasporës shqiptare të cilët kanë rënë në luftë. Ata ishin ushtarë në ushtrinë e Ukrainës, të cilët luftuan dhe dhanë jetën në krye të detyrës si heronj. Ata ishin: Dermentli Anatoly ishte nga fshati shqiptar i Karakurtit (në rajonin e Odesës). Ai kishte lindur më 3 shtator 1980. U mobilizua në Brigadën e mekanizuar Nr.118 në rajonin e Zaporozhias. Në 15 tetor, humbi jetën, në një mision luftimi. Haydarzhy Danylo u lind në një familje shqiptare në 26 janar 2002 në fshatin Georgivka (rajoni i Zaporozhias). Ai ishte fëmija i dytë në familjen e tij, cila aktualisht, jeton ende në zonën e okupuar nga trupat ruse. Kur filloi lufta ai ishte në Poloni. Në verën e 2022, ai shkoi vullnetarisht për tu mobilizuar, por u refuzua (për shkak të moshës). Në vitin 2023 pas ditëlindjes së 21-të ai aplikoi sërish dhe shërbeu vullnetarisht në Forcat e Armatosura të Ukrainës. Ai shërbeu në njësinë ushtarake A290 dhe dha jetën në zonën e luftimeve në fshatin Liman, pranë qytetit Kupiansk, në rajonin e Kharkivit.
Dje janë zhvilluar në qytetin e Zaporozhias ceremonistë funerale të dy djemve shqiptarë me gjak, të cilët edhe nga fotot personale duket që nuk kanë harruar origjinën e tyre.
Në ceremoninë e varrimit pranë flamurit të Ukrainës është vendosur edhe flamuri kombëtar shqiptar. I përjetshëm, qoftë kujtimi i tyre!
Kush janë dy të rinjtë shqiptarë që humbën jetën në Ukrainë
Dy djem, pjesë e diasporës shqiptare, humbën jetën në luftimet ndaj Rusisë. Ata ishin ushtarë në Ushtrinë e Ukrainës dhe dhanë jetën në betejë.
Dermentli Anatoly ishte nga fshati Karakurti, në rajonin e Odesës. Ai kishte lindur më 3 shtator 1980. Gjatë luftës, u mobilizua në Brigadën nr.118 në rajonin e Zaporozhias. Humbi jetën më 15 tetor, në luftime.
Haydarzhy Danylo lindi në një familje me origjinë shqiptare më 26 janar 2002, në një fshat të rajonit të Zaporozhias. Ai ishte fëmija i dytë i familjes. Kur nisi lufta, ai ndodhej në Poloni, doli vullnetar që të shkojë të luftojë, por fillimisht u refuzua, për shkak të moshës.
Në 2023, kur mbushi 21 vjeç aplikoi sërish dhe shërbeu vullnetar në Forcat e Armatosura të Ukrainës. Ai dha jetën gjatë luftimeve në Kharkiv. Varrimi i dy të rinjve u mbajt në Zaporizhja dhe të rinjtë shqiptarë janë përcjellë me flamuj të Ukrainës dhe Shqipërisë. 21-vjeçari Danylo nuk kishte harruar origjinën, pasi mbante tatuazh shqiponjën dykrenare./Zëri.ai/