Aktualitet

'Liria ka emër"! Shkupi vishet sot kuqezi, mijëra shqiptarë protestojnë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

Protesta pritet të mbledhë pjesëmarrës nga Shkupi dhe trevat përreth, si dhe përfaqësues politikë nga mbarë rajoni.

F.I
'Liria ka emër"! Shkupi vishet sot kuqezi, mijëra
FOTO ILUSTRUESE

MAQEDONIA E VERIUT-Do të mbahet sot në Shkup protesta për lirinë e ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë si të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Tubimi, me moton “Liria ka emër”, organizohet nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe do të nisë në orën 13:00 në sheshin “Skënderbeu” të kryeqytetit maqedonas.

Protesta pritet të mbledhë pjesëmarrës nga Shkupi dhe trevat përreth, si dhe përfaqësues politikë nga mbarë rajoni. Organizatorët kanë bërë thirrje për një manifestim paqësor dhe dinjitoz, në mbrojtje të figurës së UÇK-së dhe të drejtës historike të luftës çlirimtare.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka shprehur mbështetje për tubimin, duke theksuar se qëllimi i protestës është kundërshtimi i akuzave që, sipas tij, janë të motivuara politikisht dhe janë bazuar në narrative të fabrikuara nga Serbia dhe Rusia. Ai ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë në mënyrë paqësore dhe të tregojnë përkushtim ndaj ruajtjes së së vërtetës historike dhe respektit për sakrificën e UÇK-së.

Ndërkohë, protestës i është bashkuar edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka theksuar rëndësinë e unitetit dhe të ruajtjes së vlerave kombëtare. 

Kujtojmë se në Tiranë, më 17 tetor u zhvillua protesta gjithëkombëtare me moton “Liria ka emër”, në mbështetje të ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë dhe po hetohen për krime lufte.

Prej 3 prilli të vitit 2023, në Gjykatën Speciale në Hagë po zhvillohet procesi kryesor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt i kanë mohuar./ZËRI

Poll

MOS HUMB