LIVE UPDATES

Hakmarrja vazhdon! Vritet djali i xhaxhait të Ardian Nikulajt, Eno Nikulaj

➤ Hakmarrja vazhdon në Lezhë! ➤ Vritet djali i xhaxhait të Ardian Nikulajt, Eno Nikulaj. ➤Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21.00, përballë Ujësjellësit të Lezhës, në vendin e quajtur “Ura e Trenit” teksa viktima shkonte në Shengjin, ku edhe e kishte banesën. ➤ Persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej nga 40- vjeçari duke e plagosur për vdekje. Ai ndërroi jetë disa orë më vonë në spital. ➤ Pasi kryen misionin e tyre, autorët e vrasjes e dogjën mjetin në Rinas. ➤ Mjeti i djegur është tip "BMW" ngjyrë gri, me targa AB138HT. ➤ Targat e kësaj makine janë vjedhur në 29 nëntor të 2023 te komisariati nr. 6 në Tiranë, në Kombinat. ➤ Pista kryesore e vrasjes së tij lidhet me gjakmarrjen. Kjo pasi kushëriri i tij, Ardiani u ekzekutua për vdekje brenda hotelit të tij në Shëngjin më 19 prill të këtij viti. ➤ Pas tij, në korrik iu mor jeta Nikolin Marku (Lekstakaj), fis me të cilin familja Nikulaj është në hasmëri prej vitit 1997. Zëri ka sjellë skedën e plotë të historisë së hakmarrjes.

5 artikuj për këtë temë.
1 VITE ME PARE

Gjaku nuk harrohet! Kanuni bën ligjin mes familjeve Nikulaj dhe Lekstakaj, shteti spektator

Hakmarrja vazhdon! Vritet djali i xhaxhait të Ardian Nikulajt, Eno Nikulaj
Foto ilustruese

TIRANË- Gjaku nuk harrohet! E në Lezhë duket se Kanuni ende e bën ligjin. Ardian Nikulaj u vra më 19 prill brenda lokalit të tij në Shëngjin, disa muaj më vonë, goditi pala tjetër. Në korrik iu mor jeta Nikolin Marku (Lekstakaj), ndërsa sot ishte goditja e radhës. Eno Nikulaj, djali i xhaxhait të biznesmenit nga Lezha u qëllua teksa shkonte për në banesë për një gjakmarrje që as nuk e nisi dhe me shumë gjasa nuk ka lidhje. Por duket se mes dy familjeve historia e përplasjeve është rindezur, e Policia është lënë në 'stol' vetëm që të vëzhgojë. Për asnjë nga vrasjet autorët, edhe pse të identifikuar nuk janë kapur. 

ZËRI do të risjellë të gjithë historinë e konfliktit që ka nisur për 10 mijë lekë të vjetra dhe që edhe sot e kësaj dite po merr jetë.

Fisi Lekstakaj dhe fisi Nikulaj janë në gjakmarrje që prej vitit 1996. Historia e përplasjes mes fiseve në fjalë, ka nisur që para 27 viteve, në një karburant në dalje të qytetit të Lezhës për 10 mijë lekë të vjetra. Asokohe, vëllai i Ardian Nikulaj bashkë me një person tjetër ishin shitës në karburantin në fjalë dhe një nga pjesëtarët e familjes Lekstakaj po furnizonte makinën dhe pas kësaj, shitësit kanë debatuar me drejtuesin e mjetit me pretendimin se nuk kishte bërë pagesën prej 10 mijë lekësh të vjetra të furnizimit me karburant.

KRONOLOGJIA E VRASJEVE

1997- Një sherr mes 15-vjeçarëve në një pikë karburanti la një viktimë. Ishte një konflikt banal, në një karburant. Atje u vra një djalë nga familja Nikulaj. Atje familja vuri gishtën mbi familjen Lekstakaj. Pas debatit verbal u vra vëllain i Ardian Nikulaj, Pëllumbi.

1997- Klodian Lekstakaj dëshmoi vrasjen për një tokë në Balldre, ku mbetën të vrarë Gëzim Stakaj dhe Laurent Ndoc Gjetja, djali i poetit të njohur lezhian, Ndoc Gjetja (nip në familjen Stakaj). Sipas tyre, i dyshuari kryesor për ngjarjen ishte Nikoll Nikulaj, i cili ka bërë 3 muaj burg, por doli i lirë për vetëmbrojtje edhe pse ishte në tokën e viktimave.

1998- Në janar 1998 u vra Gjovalin Stakaj dhe u plagos Pjeter Lekstakaj. Edhe pse ishin të të njëjtës familje, Pjetri u akuzua atentator për vrasjen dhe u dënua me 12 vite burg.

Këtu fija shkëputet!

Familja Lekstakaj është larguar drejt Britanisë së Madhe, ndërsa Nikulajt qëndrojnë në Shqipëri. Në Lezhë! Ngrenë një hotel në Shëngjin dhe vazhdojnë jetën të qetë pa e ditur se 2023 do të rihapte plagët e mbyllura. Vetë Lestakajt nuk vinin dot, ndaj edhe i besuan të afërmit të tyre Edmond Haxhia që t'u mbyllte punë! Ai punësoi disa persona për të bërë atë që një killer nga Fushë Kruja, Nikla, nuk ia kishte marrë përsipër, të hiqte qafe Ardianin. 300 mijë euro nuk e tunduan që të hiqte qafe atë që dikur e kishte pasur mik; një personazh i angazhuar me politikë dhe popullor në Lezhë. Kështu detyra iu ngarkua "të huajve".

Organizatori i gjithçkaje, Edmond Haxhia, i afërm i fisit Lekstakaj në gjakmarrje me Nikulajt, përdori një grup të huajsh në realizimin e atentatit. Vetë ai u arrestua në Angli bashkë me 4 britanikë bashkëpunëtorë, ndërsa portugezi Ruben Saravia ndodhet në Marok. Në momentin e arresimit, Thomas Mithan e pranoi krimin, duke u shprehur se nuk donte të përfundonte pas hekurave të burgut. Të kamufluar si turistë, britanikët nuk kishin ngjallur as dyshimin më të vogël se ndodheshin në vendin tonë për të bërë vrasje. Madje dhe ishin strehuar në hotelin Coral në pronësi të Ardian Nikualjt, i cili në shumë raste i kishte paguar edhe ushqimin e konsumuar prej tyre.  Marrëdhënia miqësore mes tyre kishte shkuar edhe tek fakti që informatorët e vrasësit ishin miqësuar aq shumë me familjen Nikulaj, saqë kanë luajtur edhe me fëmijët e 51-vjeçarit brenda ambienteve të hotelit me bilardo. Megjithatë e çuan deri në fund porosinë që kishin marrë, e me të ndodhur vrasja u zhdukën nga Shqipëria

Pas ngjarjes së 19 Prillit në Shëngjin, Lekstakajt reaguan për mediat duke mohuar autorësinë. Por, hetimet zbuluan një sërë provash ndaj të afërmit të tyre Edmond Haxhia.

“Nuk kemi çfarë themi më shumë nga ajo çka kemi kërkuar 7 vite më parë, aq më tepër që s’duam të ngjallim emocione negative në këtë rast të freskët. Edhe pse ngjarja ka ndodhur e nuk kemi përgjegjësi, ne sërish do kërkojmë hetim të ngjarjes deri në fund. Nëse shteti shqiptar na garanton jetën me status dëshmitarësh, ne vijmë e përballemi në gjykata. S’kemi dashur kurrë gjak, as nuk duam, duam drejtësi në dosje. Nëse shteti shqiptar na thërret për hetim ne vijmë menjëherë,”- kanë deklaruar vellezërit Lekstakaj.

Korriku u përgjak për fisin e tyre, pasi Nikolin Lekstakaj, 42-vjeç u qëllua për vdekje në fshatin Balldre të Lezhës. Babai i tre fëmijëve, i cili njihet në zonë edhe me emrin 'Toli' sapo ishte kthyer nga emigrimi. Për të nuk dihej shumë, por pagoi "detyrimet" e familjes. Edhe në këtë rast, Policia zyrtarisht tha se besonte që kishte lidhje me linjën e hakmarrjes, por deri më tani nuk ka asnjë person të arrestuar për vrasjen. 

Sot, krimi goditi sërish! Një "BMW" për vrasje dhe breshëri e pamëshirmshme për të ekzekutuar Eno Nikulajn. Autorët i shpëtuan sërish Policisë por sinjali është mjaft i qartë. Hakmarrja ka nisur dhe duket se do të vazhdojë. Paqe s'ka!/ZËRI

1 VITE ME PARE

FOTOJA/ Ky është viktima e atentatit në Lezhë, përdorte 2 emra

Hakmarrja vazhdon! Vritet djali i xhaxhait të Ardian Nikulajt, Eno Nikulaj
Pamje nga vendi i ngjarjes

LEZHË- Eno alias Entjan Nikulaj ka mbetur i vrarë mbrëmjen e sotme në Lezhë pasi u qëlllua me breshëri kallashnikovi. Entjan Nikulaj është djali i xhaxhait të Ardian Nikulajt, biznesmenit që u vra disa muaj më parë në Shëngjin. I riu kishte shenja jete dhe u dërgua në spitalin e Lezhës me urgjencë, por nuk ia doli dot që t'i mbijetonte plagëve të marra.

Hakmarrja vazhdon! Vritet djali i xhaxhait të Ardian Nikulajt, Eno Nikulaj
Eno Nikulaj

Përmes një informacioni shtesë të mbërritur në orën 22:44 minuta, Policia e Lezhës konfirmon se 40-vjeçari kishtë ndërruar jetë. 

"Në vijim të informacionit paraprak të dhënë pak më parë, për ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor Lezhë-Shkodër, ku mbeti i plagosur rëndë me armë zjarri shtetasi E. N., ju informojmë se: Ky shtetas, si pasojë e plagëve të marra, pavarësisht ndihmës dhe trajtimit të menjëhershëm mjekësor, ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Lezhës’ thuhet në informacionin shtesë të policisë së Lezhës,"-bën me dije Policia.

Pasi kanë kryer vrasjen, autorët janë nisur në drejtim të Tiranës dhe pranë Rinasit i kanë vënë flakën mjetit të përdorur për atentatin./ZËRI

1 VITE ME PARE

Vrasja në Lezhë, digjet një makinë në Rinas, dyshohet se i përket autorëve

Hakmarrja vazhdon! Vritet djali i xhaxhait të Ardian Nikulajt, Eno Nikulaj
Foto ilustruese

TIRANË- Gjendet në Tiranë një mjet i djegur që dyshohet se është përdorur nga vrasësit e Eno Nikulajt. Mjeti i djegur është tip "BMW" ngjyrë gri, me targa AB138HT. Targat e kësaj makine janë vjedhur në 29 nëntor të 2023 te komisariati nr. 6 në Tiranë, në Kombinat.


Mesa duket autorët e kanë planifikuar gjithë ngjarjen, e teksa vëzhgonin lëvizjet e shënjestrën, kishin siguruar edhe logjistikën./ZËRI

1 VITE ME PARE

Vritet kushëriri i Ardian Nikulajt, trupi ende në 'Fuoristradë'

Hakmarrja vazhdon! Vritet djali i xhaxhait të Ardian Nikulajt, Eno Nikulaj
Pamje nga vendi i ngjarjes

LEZHË- Eno Nikulaj u vra sot teksa ishte duke lëvizur me mjetin e tij tip "Fuoristradë", drejt shtëpisë së tij në Shëngjin. Autorët, pasi e kishin ndjekur prej kohësh, në hyrje të qytetit të Lezhës e qëlluan në breshëri kallashnikovi.

E gjithë ngjarja ka ndodhur tek portat e Ujësjellësit. Sipas të dhënave të para, trupi i viktimës ndodhet ende në mjet, ndërsa siç duket edhe nga pamjet, vendi i ngjarjes është rrethuar nga ekspertët që po mbledhin provat e para nga vendi i ngjarjes./ZËRI

1 VITE ME PARE

VD- Makina e shkretuar në mes të rrugës, pamjet nga vendi ku u vra Eno Nikulaj

Hakmarrja vazhdon! Vritet djali i xhaxhait të Ardian Nikulajt, Eno Nikulaj
Pamje nga vendi i ngjarjes

LEZHË- Mbrëmjen e sotme qyteti i Lezhës është tronditur nga vrasja e Eno Nikulaj, djali i xhaxhait të Ardian Nikulajt, biznesmenit që u vra disa muaj më parë në Shëngjin. ZËRI ka siguruar pamjet e para nga vendi i ngjarjes, ku duket se Policia e Shtetit ka rrethuar të gjithë zonën. Ai u ekzekutua me breshëri kallashi pranë Portës së Ujësjellësit të Lezhës teksa po lëvizte me makinë për të shkuar drejt shtëpisë së tij në Shëngjin.

Nga të dhënat e deritanishme, i riu nuk njihet si person problematik, ndërsa Policia dyshon se ngjarja ka si shkak motivet e gjakmarrjes për të cilat u vra edhe kushëriri i tij./ZËRI

 

Poll

MOS HUMB