
TIRANE- Një ngjarje e paimagjinueshme ka ndodhur brenda ambienteve të burgut të Peqinit. I dënuari për vrasje Sokol Mjaçaj ka ekzekutuar një nga gardianët e burgut pasi ishte duke e transferuar brenda regjimit 41 bis. ZËRI ka mësuar se Mjaçaj e ka qëlluar me armë zjarri duke e lënë të vrarë efektivin, identiteti i të cilit ende nuk dihet. Ngjarja ka ndodhur mesditën e sotme, rreth orës 12:00, ku Mjaçaj pasi ka qëlluar efektivin dhe e ka vrarë ka mbajtur peng stafin e kuzhinës përmes kërcënimit me armë. Ende nuk dihet nëse është neutralizuar, por deri më tani mësohet se ai është duke mbajtur peng bashkë me dy të dënuar stafin e kuzhinës.
Sokol Mjaçaj ndodhet në burgun e Peqinit prej disa vitesh. Sot u raportua se ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka urdhëruar futjen e tij në 41 Bis, pasi cenonte sigurinë në burgun e Peqinit. Mjacaj ka vrarë dy turistët çekë, Michal Svatos dhe Anna Kusinova, më 3 korrik 2015 në fshatin Prekal të Dukagjinit. Mjacaj i grabiti dy të rinjtë e më pas i ekzekutoi me armë zjarri në automjetin e tyre. Izolimi i Mjacaj vjen pasi katër ditë pasi një tjetër eksponent i botës së krimit u izolua në regjimin e posaçëm. Më 11 dhjetor u izolua në ’41 Bis’ edhe Ilir Kupa, i njohur si drejtues i “bandës së babagjyshëve”. Ilir Kupa, i dënuar me 25 vite burg, në vitin 2014-2015, ka qenë i përfshirë në aktivitetin kriminal të grupit të “Babagjyshëve”, pjesëmarrës në disa vjedhje/grabitje, si dhe dhënien e vlerave monetare me përqindje./ZËRI