
TIRANË- Me vendim të Këshillit të Ministrave, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP) do të ristrukturohet, duke u emërtuar Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF), e cila do të ketë fuqi në të gjithë territorin e vendit, në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit. Me vendimin e marrë në mbledhjen e të mërkurës, AIF do të jetë një institucion me seli në Tiranë dhe në varësi të drejtëpërdrejtë të Ministrisë së Financave. Ministrit të së cilës i raporton me shkrim mbi ecurinë e punës.
Drejtori i Agjencisë së Inteligjencës Financiare, emërohet nga Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës. Po ashtu dhe organika drejtuese e saj. Drejtori i AIF shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës, që në këtë rast është ministri i Financave. Në vendimin e Këshillit të Ministrave saktësohet se AIF do ketë stemën dhe vulën e saj.
Ndërkohë sa i përket funksionimit të kësaj agjencie, në bazë të VKM-së, drejtori i AIF raporton në Komisionet parlamentare sa herë që ai thirret nga deputetët. Ndërkohë saktësohet dhe bashkëpunimi që Agjencia e Inteligjencës Financiare duhet të ketë me organet e drejtësisë.
Konkretisht me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizua (SPAK), Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), Shërbimin Informativ të Shtetit dhe autoritetet e tjera kompetente të zbatimit të ligjit apo të inteligjencës për çështjet e pastrimit të produkteve të veprës penale, veprat penale ose veprimtaritë kriminale që gjenerojnë produkte të veprës penale dhe financimit të terrorizmi.
V E N D I M PËR MËNYRËN E ORGANIZIMIT DHE TË FUNKSIONIMIT TË AGJENCISË SË INTELIGJENCËS FINANCIARE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 21, të ligjit nr.9917 datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Inteligjencës Financiare (AIF), si person juridik, publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për financat (në vijim ministri), me seli në Tiranë.
2. AIF-ja financohet nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme, sipas legjislacionit në fuqi.
3. Buxheti i AIF-së përbën zë të veçantë në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për financat.
4. Misioni i AIF-së është të parandalojë pastrimin e parave e të produkteve që burojnë nga veprat penale, si dhe parandalimin e financimit të terrorizmit, duke bashkëpunuar me institucionet dhe organet kompetente kombëtare e ndërkombëtare për këtë qëllim.
5. Në zbatim të ligjit në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, AIF-ja:
a) ushtron funksionet e autoritetit përgjegjës;
b) funksionon si qendër kombëtare e ngarkuar me mbledhjen, analizimin dhe shpërndarjen tek agjencitë e zbatimit të ligjit të të dhënave për veprimtaritë e mundshme të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
6. AIF-ja ka si fushë përgjegjësie:
a) parandalimin e pastrimit të parave dhe produkteve që burojnë nga veprat penale;
b) parandalimin e financimit të terrorizmit.
II. PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË AGJENCISË SË INTELIGJENCËS FINANCIARE
1. AIF-ja përmbush objektivat, kryen detyrat dhe ushtron përgjegjësitë në përputhje me përcaktimet e legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave e financimit të terrorizmit si dhe legjislacionit për masat kundër financimit të terrorizmit.
2. AIF-ja ka përgjegjësi të organizojë punën për:
a) ushtrimin e funksionit për parandalimin e pastrimit të parave e të produkteve që burojnë nga veprat penale;
b) ushtrimin e funksionit për parandalimin e financimit të terrorizmit;
c) mbledhjen, përpunimin, vlerësimin, analizimin dhe shpërndarjen tek agjencitë e zbatimit të ligjit të të dhënave dhe informacioneve për veprimtaritë e mundshme të pastrimit të parave e financimit të terrorizmit;
ç) mbikëqyrjen e përputhshmërisë së veprimtarisë së subjekteve të ligjit me kërkesat e akteve ligjore e nënligjore për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I AGJENCISË SË INTELIGJENCËS FINANCIARE
1. AIF-ja e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe organizohet në nivel qendror.
2. Struktura dhe organika e AIF-së miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
3. Rregullorja për metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e nëpunësve e të punonjësve administrativë të AIF-së miratohet nga ministri përgjegjës për financat, me propozimin e drejtorit të përgjithshëm. Rregullorja, ndër të tjera, parashikon edhe procedurat e ristrukturimit, pranimit dhe rekrutimit të nëpunësve e të punonjësve administrativë, të pezullimit, transferimit të tyre, llojet e masave disiplinore dhe procedurën e shqyrtimit të shkeljeve disiplinore e të vendosjes së masave disiplinore.
4. AIF-ja ka stemën, logon dhe vulën zyrtare.
5. Stema e AIF-së ka shënimet “Republika e Shqipërisë”, Ministria e (emri i ministrisë përgjegjëse), “Agjencia e Inteligjencës Financiare”, në përputhje me përcaktimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.
6. Vula e AIF-së ka elementet dhe formën e përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, të administrimit, të kontrollit dhe të ruajtjes së vulave zyrtare. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
7. AIF-ja drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili ka këto detyra dhe përgjegjësi:
a) Drejton AIF-në dhe e përfaqëson atë në marrëdhënie me të tretët, brenda dhe jashtë vendit;
b) Nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me institucione brenda vendit dhe me agjenci homologe të huaja apo organizma të tjerë jashtë vendit, që iu nënshtrohen detyrimeve të ngjashme të konfidencialitetit, në funksion të ushtrimit të detyrave e të funksioneve të saj;
c) Raporton me shkrim drejtpërdrejt te ministri përgjegjës për financat dhe Kryeministri, sa herë që i kërkohet, por jo më pak se dy herë në vit për veprimtarinë e AIF-së dhe problematikat e hasura lidhur me parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit;
ç) Raporton sa herë që i kërkohet në komisionet parlamentare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për veprimtarinë e AIF-së në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit;
d) Informon në mënyrë periodike, me shkrim, për veprimtarinë e AIF-së Komitetin e Bashkërendimit të Luftës kundër Pastrimit të Parave;
dh) Organizon dhe drejton analiza periodike të aktivitetit të AIF-së;
e) Krijon grupe pune për çështje specifike të punës së AIF-së dhe monitoron ecurinë e përmbushjes së qëllimit të tyre;
ë) Organizon punën për hartimin dhe publikimin në afat të raportit vjetor;
f) Miraton programe të kualifikimit profesional të nëpunësve të AIF-së;
g) Drejton dhe orienton punën e grupit teknik ndërinstitucional për parandalimin e pastrimit të parave, në kuadër të Komitetit të Bashkërendimit të Luftës kundër Pastrimit të Parave;
gj) Bashkërendon punën për mbikëqyrjen e përmbushjes së detyrimeve të subjekteve të ligjit sipas dispozitave ligjore në fuqi;
h) Merr vendim për dhënien e masave administrative për kundërvajtjet administrative të kryera nga subjektet e legjislacionit në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit;
i) Është përgjegjës për ngritjen dhe zhvillimin e sistemit të kontrollit të brendshëm në institucion, në mbështetje të dispozitave ligjore në fuqi;
j) Bashkërendon punën për menaxhimin e burimeve njerëzore, çështjeve ligjore, teknologjisë së informacionit, mirëmbajtjen e shërbimeve të tjera mbështetëse si dhe për përgatitjen e zbatimin e buxhetit dhe mbajtjen e kontabilitetit;
k) Kryen çdo funksion tjetër si titullar institucioni, sipas legjislacionit në fuqi.
8. Drejtori i Përgjithshëm i AIF-së emërohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për financat.
9. Drejtori i Përgjithshëm i AIF-së emërohet personi, sipas procedurës së parashikuar në këtë vendim, i cili duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të jetë i aftë nga ana shëndetësore;
ç) Të zotërojë diplomë të nivelit “Master i shkencave” apo “Master profesional”, të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 (dy) vite akademike, në “Shkenca juridike ose ekonomike”;
d) Të ketë të paktën 15 (pesëmbëdhjetë) vite eksperiencë në punë, nga të cilat së paku 5 (pesë) vite në nivel drejtues në administratën publike;
dh) Të mos jetë larguar për shkelje disiplinore nga administrata publike, si dhe të mos ketë masë disiplinore që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi;
e) Të mos i jetë hequr e drejta për të ushtruar funksione publike me vendim gjyqësor të formës së prerë;
ë) Të mos ketë filluar ndjekja penale ndaj tij;
f) Të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi;
g) Të plotësojë kushtet e sigurisë për kontrollin e verifikimit të pasurisë e të figurës;
gj) Të mos ketë konflikt interesi me detyrën ose funksionin që do të kryejë, në përputhje me legjislacionin e konfliktit të interesave.
10. Drejtori i Përgjithshëm i AIF-së lirohet nga detyra me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për financat kur:
a) plotëson moshën për pension pleqërie;
b) jep dorëheqjen nga detyra;
c) humbet shtetësinë shqiptare;
ç) deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor apo merr formë të prerë vendimi gjyqësor për kufizimin apo heqjen e zotësisë për të vepruar;
d) nuk mund të ushtrojë detyrën për një periudhë kohore të pandërprerë, më të gjatë se 6 (gjashtë) muaj;
dh) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi;
e) ka konflikt të vazhdueshëm interesi me detyrën që kryen, në përputhje me legjislacionin e konfliktit të interesave;
ë) i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike me vendim gjyqësor të formës së prerë;
f) emërohet në një detyrë tjetër.
11. Drejtori i Përgjithshëm i AIF-së shkarkohet nga detyra me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për financat kur:
a) konstatohen shkelje të dispozitave të ligjit në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit;
b) i hiqet ose i refuzohet certifikata e sigurisë sipas legjislacionit në fuqi;
c) kryen akte dhe sjellje që diskreditojnë pozitën dhe figurën e tij apo reputacionin e institucionit;
ç) kryen veprimtari që krijon konflikt interesash, në përputhje me legjislacionin e konfliktit të interesave;
d) mungon në detyrë, pa shkaqe të arsyeshme, për më shumë se 30 (tridhjetë) ditë rresht/në vijim;
dh) kryen shkelje të rënda gjatë kryerjes së detyrës.
12. AIF-ja, në përmbushje të misionit, fushave të përgjegjësisë e të përgjegjësive funksionale të saj, kryen detyrat, si më poshtë vijon:
a) Mbledh, administron, përpunon, analizon dhe shpërndan tek autoritetet kompetente të dhëna, raporte dhe informacione për çështjet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit;
b) Shkëmben informacion me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, Prokurorinë e Posaçme, Policinë e Shtetit, Byronë Kombëtare të Hetimit, Shërbimin Informativ të Shtetit dhe autoritetet e tjera kompetente të zbatimit të ligjit apo të inteligjencës për çështjet e pastrimit të produkteve të veprës penale, veprat penale ose veprimtaritë kriminale që gjenerojnë produkte të veprës penale dhe financimit të terrorizmit;
c) Shkëmben informacion me çdo agjenci të huaj homologe, në varësi të detyrimeve të ngjashme të konfidencialitetit;
ç) Mbikëqyr përputhshmërinë e veprimtarisë së subjekteve me kërkesat e akteve ligjore e nënligjore për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, përfshirë inspektimet në vend e në distancë, vetëm ose në bashkëpunim me autoritetet mbikëqyrëse;
d) Kryesisht, në bazë të një vendimi të Këshillit të Ministrave, apo për rastet e kërkuara nga Grupi i Posaçëm i Veprimit Financiar, organizma të tjerë ndërkombëtarë, nga të cilët lindin detyrime për Republikën e Shqipërisë, nxjerr listë të vendeve për kufizimin dhe/ose kontrollin e transaksioneve apo marrëdhënieve të biznesit të subjekteve, proporcionalisht me rreziqet e evidentuara, vendime këto të detyrueshme për zbatim nga subjektet dhe autoritetet shtetërore që kanë detyrime sipas këtij ligji;
dh) Organizon dhe merr pjesë, së bashku me institucionet publike e private, në veprimtaritë trajnuese për parandalimin e pastrimit të parave e të financimit të terrorizmit, si dhe organizon ose merr pjesë në programe për të rritur ndërgjegjësimin e publikut;
e) Njofton autoritetin përkatës mbikëqyrës, kur vëren se një subjekt nuk i përmbush detyrimet e përcaktuara në këtë ligj;
ë) Publikon brenda tremujorit të parë të çdo viti raportin publik vjetor për vitin pararendës për veprimtarinë e autoritetit përgjegjës;
f) Rishikon periodikisht efektivitetin dhe frytshmërinë e sistemit vendas për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
13. Marrëdhënia e punës së nëpunësve të AIF-së është një marrëdhënie juridike e natyrës administrative me qëllim krijimin e një strukture inteligjence financiare të qëndrueshme, profesionale, të bazuar në meritë dhe integritet.
14. Marrëdhëniet e punës së drejtorit të përgjithshëm, nëpunësve dhe punonjësve administrativë të AIF-së rregullohen sipas dispozitave në fuqi të Kodit të Punës.
IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP) me hyrjen në fuqi të këtij vendimi ristrukturohet në Agjencinë e Inteligjencës Financiare (AIF).
2. Deri në miratimin e akteve nënligjore të AIF-së, të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë funksionale do të vijojnë të ushtrohen sipas strukturës dhe organikës së miratuar.
3. Nëpunësit dhe punonjësit administrativë të DPPPP-së transferohen pranë AIF-së.
4. Ngarkohet Drejtori i Përgjithshëm i AIF-së që, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të marrë masat për hartimin dhe paraqitjen e propozimit për miratimin e rregullores për metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e nëpunësve e të punonjësve administrativë të AIF-së.
5. Vendimi nr.457, datë 10.6.2020, i Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave”, shfuqizohet.
6. Ngarkohet Agjencia e Inteligjencës Financiare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA/ZËRI