Avokati: Një çështje civile tregtare e kthyen në çështje penale. Gjatë kësaj kohe keni përcjellë marrëdhënien juridiko civile tregtare mes palëve në këtë proces, e cila më pas është përcaktuar nga SPAK si çështje penale. Qëndrimin tonë e kishim kundër akuzave që janë vënë nga Prokuroria, janë akuza që kërkojnë të shtrëngojnë gjykatën në masën e sigurimit arrest me burg. Nuk ka përfituar në mënyrë të padrejtë asnjë tender persona të tjerë. Zotërues të kompanisë janë të tjerë, Berberi e ka shitur kompaninë në persona të tjerë. Nuk është më pronari i kompanisë që pretendohet. Abuzohet në mënyrë të papërshtatshme me vlerat ekonomike. Këto gjëra do sqarohen, do paraqiten nga ana jonë analiza të mirëfillta ekonomike. S’ka vlera të fituara. Një proces juridik civil tregtar e kthyen në çështje penale.
Në hetimet për kreun e ARRSH-së, Evis Berberi, SPAK konstaton se pavarësisht shitjes së kompanisë, “Daam shpk” vazhdonte të tërhiqte para nga llogaria e objektit. Në disa shkresa të dosjes vihet re se gjatë periudhës që ka qenë Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë për Eficiencën e Energjisë, nga 21 dhejtori i vitit 2018 e deri në 10 dhjetor 2022, ka bërë 13 tërheqje bankare.
Përmes këtyre veprimeve, SPAK ka ngritur dyshimet se Berberi ka vijuar të ketë kontroll mbi subjektin “Daam shpk” edhe pse me kontratë ai e kishte shitur kompaninë. Ndërkaq, ka rezultuar se në periudhën kur ai ishte drejtor i ARRSH dhe i eficiencës së energjisë, i ka dhënë 6 tendera kompanisë net grup, pronari i së cilës ishte edhe themelues i “Daam” dhe që e ribleu subjektin disa vite më pas.
Lidhja e Evis Berberit me Valter Begaj dhe Ervis Lamin
Valter Begaj, biznesmen dhe ortak i Evis Berberit, është personi kyç që ka shërbyer për të pastruar paratë e përfituar përmes tenderave të paligjshëm nga kreu i ARRSH-së. Përveç aksioneve të DAAM, Begaj ishte zotërues dhe i kompanisë NET-GROUP (ish "B-VAAL ENGINEERING"), e cila rezulton që të jetë dhe kompania që ka fituar tenderat në mënyrë jo të ligjshme nga ana e Berberit. Më pas këto të ardhura dërgoheshin te kompania tjetër e Begajt, kompania DAAM, e cila sipas SPAK vijonte që të kontrollohej po nga Berberi, pavarësisht shitjes fiktive që ai i kishte bërë aksioneve. Ndërkohë Ervis Lami rezulton administrator i kompanisë 'DAAM'. Më parë në kompaninë 'DAAM' ka rezultuar pronarë, vetë kreu i ARRSH-së Evis Berberi, Brunilda Buli, dhe Ervis Lami.
Arrestimi i Evis Berberit
Evis Berberi u arrestua tre ditë më parë, pasi akuzohet për “Korrupsion” dhe “Pastrim parash”. Me dyshimet për të njëjtat vepra penale, ndërsa në gjendje të lirë po ndiqet dhe Brunilda Bulo, bashkëpunëtore e tyre, e cila nuk është arrestuar për shkak se është nënë e një fëmije të mitur. Skema për përvetësimin e parave është bërë nëpërmjet dy kompanive “Net Group” dhe “Daam”. Kompanitë u blenë dhe u shitën mes 4 të përfshirëve në dosje, madje dhe nga vetë Berberi, i cili më pas, shpallte fituese kompanitë e tij në disa tendera publikë të shpallur nga Agjencia për Efiçencën e Energjisë dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar. Shuma e përvetësuar u përllogarit 2.3 milionë euro. Por po ashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesën e Berberit u gjetën piktura të shtrenjta si dhe vlera monetare që kapin shumën e 4 milion lekëve./ZËRI