Aktualitet

Kontakti i fundit i Ervis Martinajt, Gjykata e Lartë refuzon rekursin për Jeton Lamin

Lami, kërkoi rishqyrtimin e çështjes në shkallën më të lartë gjyqësore, por kërkesa e tij u refuzua nga Gjykata e Lartë.

F.I
Kontakti i fundit i Ervis Martinajt, Gjykata e Lartë refuzon rekursin
Ervis Martinaj dhe Jeton Lami

TIRANË-Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Jeton Lamit, ish-efektivit të forcave operacionale i cili u dënua nga Gjykata e Lezhës për shpërdorim detyre me 2 vite e 10 muaj burg. Ish-efektivi i operacionales, Jeton Lami, kërkoi rishqyrtimin e çështjes në shkallën më të lartë gjyqësore, por kërkesa e tij u refuzua nga Gjykata e Lartë.

Jeton Lami shoqëronte biznesmenin Ervis Martinaj gjatë kohës që ishte në detyrë si agjent i Operacionales, duke bërë që i shumëkërkuari i drejtësisë t'i shmangej kontrolleve që bëheshin për lokalizimin e tij. Lami u arrestua më 24 gusht 2022, pasi sipas policisë afërsia e tij me të shumëkërkuarin dekonspironte operacionet. Ai është shpallur fajor pasi u akuzua se kishte shpërdoruar detyrën, sepse në vend që t'i hidhte prangat Ervis Martinaj, e shoqëronte me makinë.

Ai pretendon se nuk ishte në dijeni që Ervis Martinaj ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, pasi faktin e dinin vetëm eprorët por jo ai dhe agjentët e tjerë të Forcës Operacionale.

Jeton Lami rezulton se është personi i fundit që ka parë Ervis Martinaj. Më 5 Gusht 2022 Lami dyshohet se e ka marrë Martinajn në zonën e veriut në një automjet luksoz ‘Audi “A8” dhe e ka transportuar atë drejt Durrësit në një hotel në praninë edhe të një vajze ende të paidentifikuar. Më 7 Gusht policia ka imazhin e fundit nga Ervis Martinaj në qytetin e Durrësit dhe të Tiranës tek një hotel, ndërsa më 10 Gusht xhaxhai i tij Faik Martinaj ka bërë denoncimin në polici për humbjen e kontakteve me nipin.

Jeton Lami refuzoi ofertën e Prokurorisë së Posaçme për të bashkëpunuar mbi gjetjen e Martinajt. Ai preferoi të “kyçë” gojën dhe të mos zbulojë se çfarë ndodhi me Martinajn./ZËRI 

Poll

MOS HUMB