TIRANË-Ditën e sotme është zhvilluar faza e tretë e përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Shtatë kandidatët janë paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme në orën 11:00 për të zhvilluar dy nga testet kyçe të procesit të përzgjedhjes, përkatësisht provimi i zgjeruar me shkrim (eseja) dhe testi për arsyetimin logjik.
Mësohet se të dy testet zgjatën 1 orë e 45 minuta, përkatësisht eseja, 60 minuta dhe testi i arsyetimit logjik, 45 minuta. Rregullorja për përcaktimin e procedurave të përzgjedhjes së kandidatit për Drejtor të BKH-së parashikon vlerësimin me 60 pikë për të dy testet, pra 30 pikë për secilin.
Në përfundim të këtyre fazave të para; testit të aftësive fizike, provimit të zgjeruar me shkrim (esesë) dhe testit për arsyetimin logjik, Komisioni i Përzgjedhjes do të rendisë kandidatët e kualifikuar, të cilët do të vijojnë me fazat e tjera të konkurrimit.
SPAK ka njoftuar gjithashtu se pas përfundimit të kësaj faze, kandidatët do të kalojnë në një fazë tjetër thelbësore: testin e poligrafit, që ka për qëllim garantimin e integritetit dhe besueshmërisë së tyre.
Në garë janë: Andi Pogaçe; Artur Beu; Elton Kërluku; Gentian Ndoi; Gentjan Shehaj; Gledis Nano dhe Joni Keta. Komisioni i përzgjedhjes në SPAK përbëhet nga kreu i institucionit, Altin Dumani, si dhe prokurorët Arben Kraja dhe Behar Dibra. Mandati i drejtuesit të Byrosë është 5 vjet. Aktualisht, postin e kreut të BKH-së e mban Aida Hajnaj, e cila do të qëndrojë në këtë detyrë deri më 31 gusht./ZËRI