
TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta është paraqitur këtë të mëkurë në ambientet e SPAK. Zëri.ai bëri me dije ekskluzivisht gjatë ditës së djeshme se Meta ishte thirrur në SPAK për çështjen CEZ-DIA. Meta tha shkurtimisht para gazetarëve se ‘jam thërritur për telenovelën’, duke konfirmuar burimet e Zëri.ai. Meta tha se çështja në fjalë është hetuar dy herë, ndërkohë që kallëzuesi i saj sipas tij është një person i dënuar për dhunë në familje.
-
Rihapja e dosjes CEZ-DIA
8 Nëntor, 15:13
“Meqënëse jeni lajmëruar herët dhe po përballoni reshjet e shiut. Është telenovelë që është gjykuar 2 herë dhe është rihapur në dhjetor të 2019-ës nga një kallëzues i rremë i cili është dënuar 2 herë nga gjykata për shpifje dhe një herë nga gjykata për dhunë në familje. Faleminderit”- tha Meta.
Meta qëndroi në SPAK për rreth 2 orë, ndërsa deklaroi për mediat se do të përballet me drejtësinë sa herë të thirret prej tyre. Meta tha se çështja ndaj tij është rihapur për të hequr vëmendjen nga skandalet e qeverisë Rama. (LEXO LAJMIN)
Personi që ka bërë kallëzim për rihapjen e թështjes CEZ-DIA është juristi Romeo Kara, i cili është dënuar për shpifje, në një proces gjyqësor me Shkëlzen Berishën, si dhe për dhunë në familje, pasi ka rrahur motrën e tij, e cila është pajisur me urdhër mbrojtje.
I pyetur pak ditë më parë nga Zëri.ai, nëse do ti përgjigjet pozitivisht ftesës së SPAK për ta marrë në pyetje, Meta tha se ishte i gatshëm që të dëshmonte në çdo kohë përpara Prokurorisë së Posaçme. Sipas tij ai prej kohësh ka vendosur një standard sa i takon marrëdhënies së politikanëve me drejtësinë, dhe asnjëherë nuk do ti shmangej përballjes me këtë të fundit. Ndryshe nga Berisha që i ka quajtur të gjithë prokurorët e SPAK Banditë, Meta ka treguar një gjuhë më të moderuar me prokurorët.
Në lidhje me çështjen CEZ-DIA janë thirrur më herët në SPAK Dorian Duçka dhe Ilir Kulla. Në këtë çështje, ata janë dy persona që dyshohet se kanë udhëtuar me Kastriot Ismailajn, të akuzuarin kryesor të aferës, tashmë i liruar nga burgu. SPAK ka rihapur dosjen e CEZ-DIA të vjedhjes së parave publike. Hetimet po ndiqen nga vetë drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani. Burimet i thanë Zëri.ai se SPAK ka rinisur verifikimet për CEZ-DIA dhe shkeljet e zyrtarëve të kohës në këtë aferë.
Skandali i CEZ/DIA
Skandali i ka fillesat në vitin 2009, kur OSSH shiti 75% të aksioneve tek CEZ-DIA. Në atë kohë ERE uli çmimin e energjisë për CEZ. Kjo fundit ia u shiste qytetarëve më shtrenjtë dhe fitonte miliona. Më pas, në vitin 2013, kur në pushtet erdhi Partia Socialiste, u bë edhe ndërprerja e kontratës që i shkaktoi buxhetit një dëm mbi 414 mln euro, u bë me argumentin se CEZ nuk kishte bërë asnjë prokurim për të importuar energji elektrike në vjeshtën e 2012, dhe në këto kushte e gjithë kërkesa për energji elektrike përballohej nga rezerva e kaskadës se Drinit.
Në fund të vitit 2015, Ministria e Energjisë dhe Industrisë që drejtohej nga Damian Gjiknuri, kallëzoi në Prokurorinë e Përgjithshme ish ministrat (Ridvan Bode, ish-ministër i Financave, Florion Mima, ish-ministër i Ekonomisë, Genc Ruli, ish-ministër i Ekonomisë etj) dhe ish drejtorët e Berishës për shpërdorim detyre në bashkëpunim dhe shkelje, duke favorizuar CEZ me çmimin e energjisë elektrike, faljen e detyrimeve dhe njohjen e borxhit të keq. Por Prokuroria e Përgjithshme e mbylli dosjen. I vetmi i dënuar ishte Kastriot Ismailaj, pronari i Kompanisë DIA. Ish-administratori i DIA-s u vërtetua fajtor për akuzat penale “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim parash”. Teksa kërkoi lirinë, ai paraqiti 132 prova të reja, për të cilat argumentoi se nuk kishte pasur mundësi t’i siguronte më parë. Megjithatë sipas Prokurorisë së Tiranës, biznesmeni Ismailaj i ka konsumuar veprat penale gjatë marrëveshjes CEZ-DIA, duke përfituar përmes mashtrimit një shumë prej 5 milionë euro. Pavarësisht kërkesave të tij të njëpasnjëshme për liri, ai u doli nga burgu në shtator të këtij viti, pas 9 vitesh burg./Zëri.ai