Aktualitet

I jepet 'drita jeshile' propozimit të Durajt, HEC-et do ndërtohen vetëm me PPP! Braçe kundër

Tashmë, hiderocentralet që do të ndërtohen në vend, nuk do të kalojnë vetëm përmes ministrit përkatës, atij të Infrastrukturës dhe Energjisë siç veprohej më herët.

E.K
I jepet 'drita jeshile' propozimit të Durajt, HEC-et do
Hidrocentral

TIRANË- Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin i dha këtë të martë ‘’dritën jeshile”, propozimit të bërë nga deputeti socialist Laert Duraj “Për disa ndryshime në Ligjin nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, që të gjithë hidrocentralet në vend të ndërtohen vetëm përmes koncensionit, pra Partneritetit Publik Privat. Tashmë, hiderocentralet që do të ndërtohen në vend, nuk do të kalojnë vetëm përmes ministrit përkatës, atij të Infrastrukturës dhe Energjisë siç veprohej më herët.

“Para nënshkrimit ose hyrjes në fuqi të kontratës autoriteti kontraktues merr nga ofertuesi më i suksesshëm garancitë e kërkuara për realizimin e kontratës dhe elementet e sigurisë si kompensim për dëmin që mund të shkaktohet si pasojë e dështimit të koncensionarëve për të përmbushur detyrimet e parashikuara në kontratë”, thuhet në projektligj.

“Sigurimi i kontratës koncension i shërbimeve publike përcaktohet në dokumentat e tenderit dhe do të jetë deri në 5% të vlerës së kontratës. Kjo masë mund të reduktohet në mënyrë përpjestimore gjatë ekzekutimit të kontratës, por, në asnjë rast gjatë kohëzgjatjes së saj nuk mund të jetë më e vogël se 25% e vlerës fillestare të sigurimit”, thuhet më tej.

Gjatë fjalës së tij në Komision, Duraj u shpreh se qëllimi kryesor është kryerja e disa ndryshimeve të cilat synojnë rregullime në ligjin ekzistues, me qëllim aplikimin në mënyrë të drejte, korrekte dhe të dispozitave ligjore, gjë e cila bën të mundur rregullimin dhe përmirësimin e procedurave të ligjit të koncesioneve.

“Ky projektligj vjen si domosdoshmëri për të përmirësuar procesin e koncesioneve në vend,”- tha Duraj.

Ndërkohë, relatori i çështjes, Arben Pëllumbi, vuri në dukje se kjo nismë i vjen në ndihmë biznesit në rastin e kontratave të përbëra koncesionare.

“Këtë nismë e kemi diskutuar dhe ishim në pritje të mendimit edhe të Këshillit të Ministrave, i cili tashmë ka ardhur. Nisma është diskutuar dhe votuar edhe në komisionin e Ekonomisë dhe në komisionin e Ligjeve duke pësuar disa ndryshime,”- theksoi Pëllumbi.

Ndërsa deputeti socialist Erion Braçe u shpreh kundër ndërtimit të hidrocentraleve në vend. Ai u shpreh se tashmë ka mjaftureshëm ‘’hidrocentrale dhe vepra energjetike të vogla që shfrytëzojnë çdo rrëke uji’’. Sipas tij, duhet vendosur një kufi dhe uji të përdoret për bujqësinë.

“Ne do të përballemi shumë shpejt me problemin e ujit. Ky vend ka boll hidrocentrale dhe vepra energjetike të vogla që shfrytëzojnë çdo rrëke uji, që duhet për të mbajtur bujqësinë gjallë. Këto HEC-e të dalin fare nga ligji i koncesioneve, vendi s’ka më nevojë, më mirë të fokusohemi tek energjia diellore, dhe mos të bëjmë një dëm kolosal si ky me ujin. Të vendoset kufi dhe uji të përdoret për bujqësinë”, tha Erion Braçe.

Ndërsa deputetët demokratë të pranishëm në komision u shprehen se qeveria duhet të fokusohet tek energjia diellore. Projektligji i propozuar nga deputeti socialist, mori “dritën jeshile” dhe në Komisionin e Ligjeve. Tashmë pritet të kalojë në seancë plenare./ZËRI

Dokumenta bashkëngjitur

Poll

MOS HUMB