
TIRANË- Kontrolli i Lartë i Shtetit ka marrë përsipër kontrollin e imtësishëm të Rezervave të Shtetit për vitin 2022! "Zëri.ai" ka siguruar dokumentin e plotë të auditit, ku gjetjet janë shqetësuese. Rezervat e shtetit janë pothuajse bosh! Është ky konstatimi i bërë në një raport nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, pas një inspektimi të bërë në ambientet e Rezervave të Shtetit. Kontrolli i Lartë i Shtetit tregon se ndonëse sasia minimale rezervë e grurit duhej të ishte 300 tonë, karburantit 100 mijë litra dhe ujit 3 mijë litra, në magazina nuk kishte asnjë nga këto produkte. Por dhe të tjerat që janë gjendur, sipas KLSH nuk ruheshin në kushtet e duhura!
INSTITUCIONET NËN AUDITIM
1. Ministria e Mbrojtjes
2. Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit me drejtoritë rajonale të varësisë:
- Drejtoria Rajonale e Rezervës Materiale të Shtetit, Tiranë
- Drejtoria Rajonale e Rezervës Materiale të Shtetit, Dibër
- Drejtoria Rajonale e Rezervës Materiale të Shtetit, Shkodër
- Drejtoria Rajonale e Rezervës Materiale të Shtetit, Fier
- Drejtoria Rajonale e Rezervës Materiale të Shtetit, Korçë
Ndër faqet e para është vënë re një shqetësim lidhur me asetet e Drejtorive të përgjithshme vendore.
"Gjatë auditimit është evidentuar se asetet që kanë në përgjegjësi 5 DRRMSH kanë shtrirje të gjerë në territor. Një pjesë e madhe e tyre janë jashtë kontrollit të këtyre institucioneve dhe përbëjnë risk të lartë për përdorim nga aktivitete të jashtëligjshme. Nga intervistimet e drejtuesve të gjithë institucioneve rezulton se kontrolli i këtyre objekteve kryhet nëpërmjet inspektimeve të cilat për shkak të pamundësive edhe financiare nuk kanë vijimësi dhe në disa raste monitorimi i tyre kryhet në marrëveshje me banorë të zonave përreth."
Megjithatë se çfarë janë këto aktivitete të paligjshme, nuk sqarohet!
Para se të shkojmë tek mungesa e mallrave që duhet të jenë në gjendje tek Rezervat e Shtetit, KLSH ndalet tek mungesa e burimeve njerëzore, teksa thekson se bëhet fjalë për një mungesë që ka influencuar
negativisht, sidomos në Durrës.
USHQIMET NË MUNGESË
Grupi A
Artikulli “Mjete të rënda për çdo lloj transporti” gjendja është nën limitin minimal të përcaktuar. Artikulli “grurë” gjendja është zero.
Grupi B
Artikulli “Mjete të vogla lundrimi” gjendja është zero. Artikulli “Automjete të tonazhit të ulët nën 10 ton” gjendja është nën limitin minimal të përcaktuar. Artikulli “Karburante”, gjendja është zero.
Grupi C
Gjatë periudhës së auditimit deri në fund të vitit 2022, nga 22 artikuj, 20 prej tyre janë me diferenca, mungesa jo vetëm te gjendja orientuese e mallrave (sasia) por edhe nën vlerat e limiteve minimale të përcaktuara në VKM nr.1128 datë 05.08.2008 “Për krijimin dhe administrimin e mallrave rezervë materiale shtetërore”, e ndryshuar. Për artikujt e Grupit C, vërehet se: Gjendja orientuese e mallrave dhe limiti minimal është mbajtur në të njëjtat kritere (normativa), që prej vitit 2008; Diferencat nga limiti minimal për një pjesë të konsiderueshme mallrash janë të ndjeshme;
Rezerva Materiale e Shtetit disponon aktualisht 52 astete të paluajtshme (tokë/ndërtim) në nivel kombëtar të cilat trashëgohen prej ish-sistemit diktatorial. Thuajse të gjitha pronat janë të pozicionuara në vende me një rëndësi strategjike për kohën. Por, 27 prona nuk rezultojnë të regjistruara ende pranë zyrave të ASHK, ndërsa të tjera janë dhënë me qera, ose janë shitur tek subjekte private. Por as në këtë rast nuk jep vepra, veçe vendndodhjen e tyre.
"Pjesa më e madhe e pronave të paregjistruara në numër dhe sipërfaqe paraqitet në Drejtorinë Rajonale Tiranë e cila rezulton me 18 të tilla, më tej ajo Korçë me 4 prona, Dibër me 3 prona dhe Shkodër dhe Fier me 1 pronë të paregjistruar secila. Pavarësisht detyrave të lëna nga Ministria e Mbrojtjes për DPRMSH dhe kërkesave të vazhdueshme, situata e pronësisë vijon të mbetet problematike."
Grupi i KLSH konstaton se nga vizitat në terren në disa asete të paregjistruara ka pozicionim mjaft të favorshëm dhe sipërfaqe të konsiderueshme, të cilat kanë risk të lartë për tjetërsim.
SUBJEKTET E SHITURA:
- Janë shitur në Labinot, Elbasan pronë prej 105,127 m2 truall dhe 25,532 m2 ndërtim. Është privatizuar shitur gjithashtu Agjencia Qendër, Bashkia Vlorë.
- Janë dhënë me qira me çmimin simbolik 1 Euro dhe afat 20 vite nga ish Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dy prona, në vitet 2014 dhe 2015 përkatësisht: - Asete në Dorëz, Librazhd, me sipërfaqe të përgjithshme 38,200 m2, prej nga sipërfaqe nën ndërtesë 7,212 m2 dhe sipërfaqe funksionale 30,988 m2; Asete në Plasë, Korçë një sipërfaqe e përgjithshme 8,699 m2, nga të cilat, sipërfaqe nën objekt
2,200.92 m2 (3 depo, kabinë, peshore) dhe sipërfaqe funksionale 6,498.08 m2; Janë dhënë me qira me afat 1 vjeçar nga DPRMSH në fund të vitit 2022, subjekteve tregtarë 2 prona me sipërfaqe 200 m2 ndërtim secila përkatësisht: -Fushë Peshtan Berat me qëllim magazinimin e materialeve të ndërtimit, pllakave të gurit
dekorativ të cilat janë pjesë objektit të veprimtarisë së subjektit si dhe Dukaj, Tepelenë me qëllim magazinimin dhe ruajtjen e bazës ushqimore për bagëti të imta.
- Është transferuar pranë ATP për tu përdorur si fond kompensimi fizik 1 pronë në Rrëshen
(NFK).
- Janë transferuar nën përgjegjësi administrimi institucioneve të tjera 5 prona të rezervës materiale referuar ndryshimeve në VKM nr. 413 datë 11.07.2007, e ndryshuar. Prona e fundit të cilës i është ndryshuar përgjegjësia e administrimit ndodhet në Lundër, Tiranë.
Më sipër shkruam se mallrat mungonin në magazina, por KLSH ka konstatuar se edhe kur janë kushtet e ruajtjes, jo në të gjitha rastet ishin optimale, kjo për shkak të mungesës së investimeve për rikonstruksionin
dhe mirëmbajtjen e magazinave të shfrytëzuara.
"Një pjesë e konsiderueshme e mallrave kryesisht veshje, apo mallra të konfiskuara, ishin të pa-paketuara dhe nuk gjendeshin në kushte optimale për përdorim."
Shqetësim ka qenë edhe siguria e këtyre objekteve.
"Sa i përket aspekteve të sigurisë, ajo realizohet nëpërmjet rojeve pjesë e strukturës së drejtorive rajonale megjithatë, numri i tyre, magazinave, territori i gjerë ku ato shtrihen paraqesin një situatë aspak të favorshme në këtë drejtim. Rezerva materiale e shtetit veç mallrave rezervë, mallrave që vijnë si ndihmë humanitare dhe aseteve nën përgjegjësi të vetë, administron edhe mallrat që kalojnë në pronësi të shtetit nga kundërvajtjet administrative dhe kryerja e veprave penale. Këto të fundit e kanë burimin kryesisht nga konfiskimet e kryera nga organet tatimore dhe doganore."
Edhe mjetet e sekuestruara nuk ishin më kushtet më të mira të mundshe. Në disa raste ruheshin
edhe brenda magazinave bosh me qëllim mirëmbajtjen sadopak të tyre. Sipas KLSH, situata paraqitej
problematike thuajse në të gjitha DRRMSH-të.
Tani mbetet vetëm për t'u zbuluar se ku kanë shkuar 227,360 lekë të reja nga buxheti i shtetit.
PËRMBLEDHJE
Disa nga problematikat e trajtuara në këtë auditim janë: Ministria e Mbrojtjes si institucion përgjegjës për hartimin e politikave shtetërore të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit nuk ka përfshirë në dokumentet politikë (strategji kombëtare/sektoriale, direktivat e ministrisë për mbrojtjen civile etj., rezervën materiale të shtetit duke mos garantuar në këtë mënyrë një vizion të qartë lidhur me administrimin e saj. Kuadri ligjor dhe rregullator i rezervës materiale të shtetit është i pa përditësuar, duke shkaktuar mbivendosje dhe role të paqarta mes institucioneve të përfshira gjatë ndërhyrjes në përballimin e situatave të parashikuara sipas përcaktimit ligjor. Organizimi dhe funksionimi i DPRMSH-së dhe drejtorive rajonale nuk është kryer sipas një analize të thelluar referuar kosto përfitim, nevojave për burime njerëzore me aftësi profesionale specifike gjykuar nga rëndësia dhe veçoritë e RMSH, objektivave strategjikë afatgjatë lidhur me aktivitetin e me shkrirjen e disa agjencive dhe efekteve pozitive të qendërzimit të tyre, ku kjo e fundit mbart dhe vështirëson më shumë procesin e regjistrimit të aseteve të tyre, etj. Ndryshimet në strukturat janë bërë të parishikuara me zhvillimet e fundit ligjore në fushën e mbrojtjes civile, gjë e cila vështirëson shumë aktivitetin e këtyre drejtorive. Pozicionet e drejtuesve të drejtorive rajonale me emërim të përkohshëm ose të komanduar, ndryshimet e shpeshta dhe pozicioni i Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit për periudhën 2019 e ne vazhdim i komanduar, bartin risk të lartë për menaxhimin e rezervës materiale të shtetit. Institucionet e përfshira pavarësisht kohës së gjatë nuk kanë arritur të përmbushin detyrimin për regjistrimin e plotë të pronave, pavarësisht se ka një vendim të Këshillit të Ministrave i cili ngarkon institucionet respektive për regjistrimin e tyre. Nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit nuk ka qartësi mbi mënyrën se si do të administrohen pasuritë e paluajtshme të rezervave materiale. Kryerja e aktivitetit dytësor për ruajtjen dhe shitjen e mallrave të sekuestruara dhe konfiskuara evidenton nevojën për rishikim të përgjithshëm të veprimtarisë së rezervës materiale, për të mos lënë hapësira në përmbushjen e aktivitetit kryesor të rezervës materiale të shtetit. Së fundi, territori dhe ndërtesat e njësisë kryesore të rezervës materiale me vendndodhje në Lundër, Tiranë, e cila është përgjegjëse për administrimin e mallrave ushqimorë në rang kombëtar, me VKM nr. 808, datë 12.12.2022 i kanë kaluar në përgjegjësi administrimi Fondit Shqiptar të Zhvillimit, me qëllim ngritjen e një kompleksi argëtues dhe sportiv. Deri në këtë fazë nuk disponohej një plan zhvendosje dhe një projekt të miratuar për zonën i cili referuar vendimit të sipërcituar duhet të ishte i dakordësuar më parë mes palëve. Pavarësisht sa më sipër, procedura për zhvendosjen ka nisur prej muajit Shkurt 2023 por ende nuk ka gjetur zbatim. Mungesa e qartësisë në vendimmarrjet e kryera lidhur me asetet ka ndikime negative në mirë administrimin e aktivitetit të institucionit./Zëri.ai