Aktualitet

Dritan Dajti kërkon lirinë! "Pezullohet" maratona e seancave në Gjykatën e Elbasanit, shtyhen në shtator

I akuzuari për vrasjen e 4 efektivëve të Policisë së Shtetit edhe kësaj herë do t'i ndjekë me anë të "Skype" zhvillimet në gjyq, pasi sërish i është mohuar kërkesa për të marrë pjesë fizikisht në seancën që do të zhvillohet në Gjykatën e Elbasanit.

k.m.
Dritan Dajti kërkon lirinë! "Pezullohet" maratona e seancave
Dritan Dajti

ELBASAN- Pezullohet për gushtin "maratona" e gjyqeve për Dritan Dajtin. Seancat do të rikthehen në shtator. Edhe sot, i akuzuari për vrasjen e 4 efektivëve të Policisë së Shtetit edhe kësaj here ndoqi me "Skype" zhvillimet në gjyq, pasi sërish iu mohua kërkesa për të marrë pjesë fizikisht në seancën që u zhvillua në Gjykatën e Elbasanit. Dajti kërkoi verifikimin e përfundimit të dënimit me 25 vite burg në një tjetër seancë gjyqësore që u zhvillua këtë të martë në Elbasan. Për çdo seancë, autoritetet nuk e mundësojnë transportin e tij në gjykatë nën frikën e një arratisjeje të mundshme, edhe pse vetëm pak ditë më parë (të shtunën), ai la për pak orë qelinë për të marrë pjesë në funeralin e të ëmës. ZËRI siguroi edhe pamjet nga momenti i ceremonisë, ku Dajti qëndronte i lidhur me pranga me dy efektivë të Policisë. 

Në seancën e kryesuar nga Suela Lika mungoi përfaqësuesi i "IEDVP" Peqin dhe me 18 minuta vonesë shkoi edhe Glenda Zeneli, përfaqësuese e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan. Lidhur me mungesën e përfaqësueses së burgut, avokat Alban Kapxhiu dhe Alban Qafa, e cilësuan si të qëllimshme pasi ishte prezente në institucionin e IEVP Peqin. Gjatë seancës, në fjalën e tij, Dajti tha se dinamika e vuajtjes së dënimit prej tij e paraqitur në Gjykatë nga IEDP Peqin nuk është llogaritur saktë, duke pretenduar edhe njëherë se e ka kryer dënimin. Por teksa ai fliste, seanca pas 37 minutash u ndërpre për mungesë të sinjalit të internetit në IEDP Peqin.

Me rikthimin e internetit, Gjykata vendosi që çështja të vazhdojë gjykimin në shtator. Ndërkohë Dajti e cilëson të paligjshëm vendimin për burgim të përjetshëm. Dritan Dajti, i cili aktualisht është duke vuajtur dënimin në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit, ka kërkuar deklarimin e përfundimit të ekzekutimit të vendimit të dënimit me 25 vjet burgim. Ai ishte në prag të lirimit nga qelia, por Prokuroria në mars 2019 ankimoi vendimin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, e cila vendosi pranimin e kërkesës për gjykim të shkurtuar të Dritan Dajtit dhe duke ulur dënimin e tij 25 vite burg. Gjykata e Lartë ka rikthyer në burg përjetë Dritan Dajtin, autorin e vrasjes së katër efektivëve të policisë në gusht të vitit 2009. Dritan Dajti është shpallur fajtor për vrasjen e katër efektivëve të policisë në 7 gusht 2008 në Durrës, Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani gjatë një operacioni për arrestimin e tij./ZËRI

Poll

MOS HUMB