
TIRANË-Gjykata e Posaçme ka rrezuar kërkesën e dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, për kthimin e telefonit. Malltezi kishte kërkuar kthimin e telefonit dhe kompjuterëve dhe disa materialeve të tjera shkresore, të sekuestruara nga ana e SPAK.
Gjyqtarja Irena Gjoka ka rrëzuar kërkesën e tij dhe la në fuqi masën e sekuestros me argumentin se janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Malltezi u vu në pranga më 21 shtator, në aeroportin e Rinasit, pasi SPAK kishte lëshuar urdhër arresti ndaj tij. Ai akuzohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim parash” në lidhje me dosjen “Partizani”. Sipas akuzës, Malltezi ka shfrytëzuar postin e vjehrrit të tij, Sali Berisha, atëherë kryeministër për të marrë pronat në ish-kompleksin sportiv “Partizani”. Ndërkohë pas vendimit për arrestimin e tij, GJKKO ka vendosur sekuestro preventive për disa pasuri në emrin e tij, mes tyre dhe vila në zonën e Gjirit të Lalzit. Nën hetim për këtë dosje janë dhe kreu i PD-së Sali Berisha dhe biznesmeni Fatmir Bektashi. Të dy nën masën e sigurisë të “Detyrimit të paraqitjes”. Por ndryshe nga Bektashi, Berisha ka refuzuar deri më tani të shkojë në seancë.
Klubi sportiv “Partizani” ishte kompleksi më i rëndësishëm sportiv në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes por kaloi në "duart" e dhëndrit Jamarbër Malltezi. Ky i fundit si trashëgimtar i 140 m2 tokë, arriti të merrte 35 % të sipërfaqes falë një marrëveshje suksesi me trashëgimtarët e tjerë. Si përfundim, qendra më të madhe sportive, me përmasa 26.000 metra katrorë, u pagua vetëm 14.000 euro./Zëri.ai