Aktualitet

Kërkoi kthimin e pasurive, Apeli rrëzon kërkesën e Malltezit

E njëjta gjyqtare mori vendimin për lirimin nga qelia të Jamarbër Malltezit duke caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest shtëpie”

E.K
Kërkoi kthimin e pasurive, Apeli rrëzon kërkesën e Malltezit
Jamarber Malltezi

TIRANË- Gjyqtarja e Apelit të Posaçëm, Iliriana Olldashi ka lënë në fuqi vendimin për sekuestrimin e 25 pronave të dhëndrit të Sali Berishës, Jamarbër Malltezi.

SPAK kërkoi përjashtimin e gjyqtares Olldashit nga çështja me argumentin se është në konflikt interesi, por u rrëzua nga Apeli i GJKKO-së.

E njëjta gjyqtare mori vendimin për lirimin nga qelia të Jamarbër Malltezit duke caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Njoftimi i Gjykatës:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 24.11.2023, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 168 akti, datë 13.11.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankuesit/personit nën hetim J.M. dhe palës së interesuar A.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 410, datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar mbi vendosjen e sekuestros preventive mbi sendet, dhe vendosi:

Miratimin e vendimit nr. 410, datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Gjyqtarja Olldashi, ishte ajo që zbuti masën e sigurisë për Malltezin, duke e nxjerrë nga burgu dhe duke caktuar masën arrest shtëpie. SPAK njoftoi se do bënte rekurs në Gjykatën e Lartë, kundër këtij vendimi, dhe kërkoi përjashtimin e saj nga seanca për pasuritë e Malltezit.

Për Malltezin SPAK pretendon se duhet të qëndrojë në burg, pasi nuk ka asnjë rrethanë për lehtësimin e masës ndaj tij. Gjyqtarja Olldashi ka blerë apartament në vitin 2015 në kompleksin në pronësi të Jamarbër Malltezit dhe Fatmir Bektashit.

Malltezi u vu në pranga në datën 21 Tetor, dhe pas afro një muaji tashmë do të vijojë betejën e tij ligjore nga masa e arrestit të shtëpisë. Ai akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, për privatizimin e ish-kompleksit Partizani, në truallin e të cilit dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha ka ndërtuar 17 pallate.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Malltezi ka përfituar nga Berisha, asokohe kryeministër që të merrte pronën e ish-familjarëve të tij, dhe për ta kthyer atë në një kompleks banimi. Sipas prokurorisë së Posaçme, Malltezi kishte fituar më shumë se 5 milionë euro nga investimi në këtë truall.

/Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB