
TIRANË- Katër efektivë të Policisë në Durrës janë pezulluar nga detyra. Mësohet se Policët kanë qenë me shërbim, kur është larguar nga banesa e tij në fshatin Gjuricaj, Afrim Kila për të cilin Gjykata e Apelit, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vrasja me dashje”. Afrim Kila, 39-vjeç është dënuar me 18 vite burg pasi në vitin 2020, në ambientet e një lokali, në Ishëm, ai ka goditur me mjete të forta dhe më pas në rrugë e goditi me automjet një qytetar, i cili më pas ka vdekur në spital.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria e Standardeve Profesionale e Policisë së Shtetit ka pezulluar nga detyra, për shkelje të pikës 5 të nenit 209 të rregullores së Policisë së Shtetit, punonjësit e Policisë:
-Inspektorë B. V., K. D. dhe O. Sh., të tre oficerë të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Durrës;
-Inspektor S. K., trupë shërbimi në Stacionin e Policisë Manzë.
4 punonjësit e Policisë janë pezulluar nga detyrat, pasi kanë qenë me shërbim, kur është larguar nga banesa e tij në fshatin Gjuricaj, shtetasi A. K., për të cilin Gjykata e Apelit, Tiranë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vrasja me dashje”. Ndërkohë, AMP-ja ka iniciuar hetim penal për këtë rast dhe në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin ligjor të përgjegjësive.
Ngjarja e rëndë ndodhi në dhjetor të vitit 2020, ndërsa në sherrin masiv në një lokal të Ishmit u përfshijnë disa persona. Dervish Kalaja u rrah fillimisht nga Afrim Kila duke u goditur me mjete të forta, ndërsa ky I fundit nuk u mjaftua me dhunën që kishte ushtruar ndaj 63-vjeçarit, por më vonë edhe kishte goditur me makinën e tij, dhe ishte arratisur. Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës e ka deklaruar fajtor këtë shtetas dhe e ka dënuar me 18 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me dashje”./ Zëri.ai