
TIRANË- Autoritetet e burgjeve kanë studiuar kartelën e mëparshme të Erdgys Arrazit, gjatë kohës që është mbajtur në burg kur akuzohej për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Top Channel shkruan se një psikolog i burgut shkruan se Arrazi gjatë 2022 shfaqi interes në qeli për programet rehabilituese duke ndjekur trajtimin individual “aftësimi social” dhe “prezantimi i të menduarit”.
E njëjta kartelë tregon se Arrazi gjatë dy muajve në burg kishte kryer tre biseda me familjen në skype dhe vetëm një takim fizik me fëmijët dhe gruan. Ai deklaronte në atë kohë se kishte marrëdhënie të mira dhe të qëndrueshme.
“I paraburgosuri mban kontakte me familjen sipas mundësive social-ekonomike, ku për këtë periudhë 2-mujore referuar regjistrit të bisedave me familjen, rezulton se ka realizuar 3 biseda skype, konkretisht, datat 1-8 prill deh 6 maj. Me familjarët ka zhvilluar 1 takim fizik me familjen në datën 24 maj. Pohon se me familjen ka marrëdhënie të mira dhe të qëndrueshme,”- thuhet në kartelë.
Erdgys Arrazi ndodhet i arrestuar në burgun e Reçit për akuzën “shkaktim të vetëvrasjes”, pas tragjedisë së ndodhur më 2 maj në Shkodër, ku bashkëshortja e tij Alma Arrazi dyshohet se u vetëhodhë bashkë me tre fëmijët në lumin Buna.