
TIRANË- Një 56-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi po transportonte kanabis. Në pranga ka rënë Taulant Çyço, në zonën e Laprakës, Tiranë. Ai po drejtonte një makinë tip “Audi A3”, në momentin kur u ndal nga Policia. Gjatë kontrollit u zbulua se ai kishte në automjet 8 kg e 45 gram kanabis, të cilën dyshohet se do e shiste. Autoritetet sekuestruan lëndën narkotike, automjetin dhe një armë gjahu pa leje që u gjet gjatë kontrollit të banesës së të arrestuarit.
Sakaq, materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
"Po transponte 8kg e 45 gram kanabis në automjetin e tij, sasi të cilën dyshohet se e posedonte me qëllim shitjen, vihet në pranga 56-vjeçari. Sekuestrohen 8 kg e 45 gram lëndë e dyshuar narkotike kanabis, automjeti dhe 1 armë gjahu pa leje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 në vijim të operacioneve për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Transportuesi”.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasit T. Ç., 56 vjeç, banues në Tiranë. Shërbimet e Policisë, pas marrjes së informacionit se një shtetas po transportonte një sasi kanabisi të cilën e posedonte me qëllim shitjen janë vënë në ndjekje të tij dhe në rrugën “Pandi Dardha”, Laprakë, kanë ndaluar, automjetin tip “Audi A3” me drejtues 56-vjeçarin. Gjatë kontrollit në automjetin tip “Audi A3”, u gjetën të fshehura në bagazh, 8 kg e 45 gram kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës, iu gjet e iu sekuestrua një armë gjahu pa leje. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Tiranë, për veprime të mëtejshme", njofton Policia./ZËRI