Aktualitet

Kryepeshkopi Joan mban liturgjinë e parë në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, mesha mbahet në gjuhën shqipe

Kryepeshkopi i Shqipërisë, Joan Pelushi u shpreh se forcimi i unitetit brenda kishës është nevojë e domosdoshme për të arritur qëllimin e saj.

I.F
Kryepeshkopi Joan mban liturgjinë e parë në Katedralen
Pamje nga mesha

TIRANË- Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Joan Pelushi ka mbajtur liturgjinë e parë, pas caktimit si Kryepeshkop. Liturgjia u mbajt në Tiranë, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”. Kryepeshkopi i Shqipërisë, Joan Pelushi u shpreh se forcimi i unitetit brenda kishës është nevojë e domosdoshme për të arritur qëllimin e saj.

“Falenderojmë dhe nderojmë martirët e lirisë që përhapën dritën e besimit në trevat ku jetojmë, një listë e gjatë të cilën do ta kujtojmë me nderim e mirënjohje. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX kisha u përball me persekutimin e egër komunist. E gjitha infrastruktura materiale e shpitërore u shkatërruar pjesërisht apo plotësisht. Kishat e shkatërruan nga themelet, pasi diktatura shkatërroi muret e jashtme të kishave, por nuk mundi të shkatërrojë zemrat e besimit. Në kohë kritike Perëndia vizitoi kishën tonë, nderoj kujtimin e paraardhësve të mi, në listën e gjatë përmend dy personalitete të shquara. Im Zot Fan Noli, ishte njeriu i duhur. Ai ishte pajisur nga perëndia me talente të jashtëzakonshme, dha kontribut për ndërgjegjësimin kombëtar. Në kohë rekord ai pajisi kishën me librat kryesorë”, tha ai.

Gjatë liturgjisë, kryepeshkopi shpalosi shtatë shtylla themelore të misionit të tij të në krye të Kishës Orthodokse Shqiptare: Ruajtjen e Traditës së Shenjtë, forcimin e unitetit brenda Kishës, ruajtjen e ekuilibrit midis “Ungjillit të Mbretërisë” dhe “Ungjillit Social”, mbrojtjen e vlerave të martesës dhe të familjes, ruajtjen dhe forcimin e bashkëjetesës fetare në Shqipëri, inkurajimin e të rinjve për të dashur atdheun e tyre dhe për të mos e braktisur atë, si dhe kultivimin e marrëdhënieve me të gjitha Kishat dhe bashkësitë e tjera fetare.

Në ceremoni morën pjesë zyrtarë të lartë nga Shqipëria dhe Greqia, si delegacione nga 13 Kishat Ortodokse të botës. Të pranishëm në ceremoni ishin kreu i Shtetit, Bajram Begaj, kryeparlamentarja Elisa Spiropali, zv.kryeministrja Belinda Balluku, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani si dhe përfaqësues nga radhët e opozitës.

Po ashtu, dje në Katedralen Ngjallja e Krishtit u mbajt ceremonia zyrtare e fronëzimit të Kryepeshkopit të ri të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Joani. Qindra besimtarë ndoqën nga afër ceremoninë e uljes së një kryepeshkopi shqiptar në fronin më të lartë të kishës ortodokse shqiptare. Gjatë fjalës së tij në ceremoni Kryepeshkopi i ri, Joan u shpreh se i lutet Zotit që t’i japë forcë e urtësi për të përmbushur këtë detyrë të vështirë dhe të shenjtë.

Joan Pelushi u zgjodh Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare pas vdekjes së Kryepeshkopit Anastas. Emri laik i kryepeshkopit Joan është Fatmir Pelushi. Hirësia e tij, Joani u zgjodh nga vetë Kryepeshkopi Anastas Janullatos që ta pasonte pas vdekjes së tij. Në Shqipëri, Mitropoliti i Korçës Joani konsiderohej si "alter egoja" e kryepeshkopit të ndjerë të Shqipërisë, të cilin e shoqëronte apo edhe e zëvendësonte në krye të delegacioneve të Kishës Ortodokse të Shqipërisë kur ishte e nevojshme./ZËRI

Poll

MOS HUMB