
TIRANË-Në Katedralen Ngjallja e Krishtit u mbajt ceremonia zyrtare e fronëzimit të Kryepeshkopit të ri të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Joani. Qindra besimtarë ndoqën nga afër ceremoninë e uljes së një kryepeshkopi shqiptar në fronin më të lartë të kishës ortodokse shqiptare.
Gjatë fjalës së tij në ceremoni Kryepeshkopi i ri, Joan u shpreh se i lutet Zotit që t’i japë forcë e urtësi për të përmbushur këtë detyrë të vështirë dhe të shenjtë.
Kryepeshkopi: Vetëm nëse jemi të bashkuar Kisha mund të forcohet dhe e dëshmia e saj për Krishtin tek bota do të jetë e besueshme. Përkujdesja jonë duhet të jetë ndaj të gjithëve, sidomos ndaj atyre që janë të varfër dhe në nevojë, në sëmundje, në vetmi dhe të mënjanuar. Kur flitet për fenë në Shqipëri gjithmonë përmendet bashkëjetesa fetare, e cila është një thesar i madh i vendit tonë, por ashtu siç do gjë, ashtu edhe bashkëjetesa nuk është statike, është detyra jonë sot dhe atyre që do të vijnë ta ruajmë dhe ta përforcojmë vazhdimisht sepse ashtu si çdo pasuri duhet mbrojtur, zhvilluar me tej për të mirën e të gjithëve. Duhet të inkurajojmë, sidomos të rinjtë, të duan vendin e tyre e të mos e braktisin. Sakrificat për të tjerët kushtojnë, por ata do të sjellin gëzim dhe do të plotësojnë jetën e tyre, sepse një jetë pa gëzim është një jetë e gjymtuar. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë do të jetë gjithmonë miqësore. Personalisht do të përpiqem me të gjithë forcën time ti shërbej grigjës që më ka besuar perëndia, do të përpiqem të je mi gatshëm për t’i dëgjuar dhe këshilluar me klerikët e laikët, e për vizitat në të gjitha dioqezat. Për të mbajtur peshën e kësaj përgjegjësie, i lutem Zotit tonë të më japë ndriçim, forcë dhe urtësi për të përmbushur këtë detyrë të vështirë por njëkohësisht të shenjtë. Shpreh mirënjohjen ndaj anëtarët të Sinodit të shenjtë që më besuan dhe më zgjodhën. Lutem që Perëndia ta mbrojë kishën tonë, ta ndriçojë vendin tonë dhe ta bekojë.
Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë krerë të lartë të shtetit si presidenti Bajram Begaj, kryeparlamentarja Elisa Spiropali, zv.kryeministrja Belinda Balluku, ish presidenti Bamir Topi, ish- presidenti Alfred Moisiu, si dhe kreu i PD-së, Sali Berisha. Po ashtu, të pranishëm ishin edhe kreu i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, Baba Mondi, kreu i KMSH-së, Bujar Spahiu, dhe Kryetari i Këshillit Ndërfetar, Dom Gjergj Meta.
Joan Pelushi u zgjodh Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare pas vdekjes së Kryepeshkopit Anastas. Emri laik i kryepeshkopit Joan është Fatmir Pelushi. Hirësia e tij, Joani u zgjodh nga vetë Kryepeshkopi Anastas Janullatos që ta pasonte pas vdekjes së tij. Në Shqipëri, Mitropoliti i Korçës Joani konsiderohej si "alter egoja" e kryepeshkopit të ndjerë të Shqipërisë, të cilin e shoqëronte apo edhe e zëvendësonte në krye të delegacioneve të Kishës Ortodokse të Shqipërisë kur ishte e nevojshme./ZËRI