
JALË – Në mëngjesin e muajit prill 2007, me dhjetëra policë vërshuan në banesat të një dyzine familjesh, që jetonin në Jalë, në bregdetin e Jonit. Policia i ngriti banorët nga gjumi dhe i nxori nga shtëpitë. Skuadrat e shembjes shkatërruan shtëpi të tëra dhe rrafshuan të tjera. Qeveria në atë kohë tha se ndërtimet ishin pa leje.
Por shumë nga familjet që iu shembën shtëpitë dhe u dëbuan nga toka, jetonin aty për së paku 50 vite. Prishja u urdhërua nga një njësi e “koordinimit të projektit të Bankës Botërore në Shqipëri”. Drejtor i njësisë pretendohet se ishte Jamarbër Malltezi, dhëndri i kryeministrit të kohës, Sali Berisha. Njësia njihej si projekti i Bankës Botërore për menaxhimin e bregdetit jugor të Shqipërisë. Malltezi dyshohet se përdori emrin e Bankës Boëtërore për të justifikuar shembjet.
Madje, ka dyshime se ai ka firmosur një letër dërguar policisë ndërtimore, e cila ka njoftuar banorët se kishin edhe 5 ditë kohë që të ankohen në gjykatë. Përpara se gjykata të hapte fletën e parë, buldozërët arritën dhe shembën gjithçka. Objektet që duhet të shembeshin ishin dërguar nga vetë Malltezi, me fotot e bëra gjatë inspektimeve ajrore. Ironik ishte fakti se inspektimet ishin bërë nga Banka Botërore.
Në fakt, projekti i BB-së pretendohet se u përdor për interesa të ngushta, ashtu siç doli nga publikimi i një raporti investigimi, autorizuar nga vetë Banka Boëtërore, posaçërisht për këtë çështje.
“Gjatë intervistave të bëra, Paneli ka ndeshur në lidhje korruptive. Ata po e përdorin projektin dhe burimet e tij për të pastruar zonën përreth Jalës për një resort turistik. Natyra selektive e përdorur për të prishur ndërtimet nga policia e ndërtimit duket se mbështet idenë për të pastruar një zonë të caktuar”, tha BB. Edhe një kabllogram i Ambasadës amerikane, zbuluar nga Wikileaks, botuar nga DITA e analizon atë që ka ndodhur dhe që në thelb i bën të pamoralshme denoncimet e opozitës për abuzimet e sotme në bregdet.
PJESË NGA KABLLOGRAMI I AMBASADËS AMERIKANE
Titulli: Familja Berisha e lidhur me ndërtimet e Bankës Botërore
Dërguar nga Ambasada e Tiranës më 10.02.2009
Merr Departamenti Amerikan i Shtetit
Firmosur: Ambasadori
“Vetëm pesë muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme, një tjetër skandal korrupsioni (përveç atij të Gërdecit, rrugës Durrës-Kukës dhe marrëveshjeve me biznesmenin hije nga Bosnja, Damir Fazlliç), dobëson edhe më shumë imazhin e Berishës si njeri kundër korrupsionit dhe shton perceptimin publik se kryeministri, familja e tij dhe rrethi i ngushtë po përdorin pushtetin për tu pasuruar.
Në fund të janarit 2009 parlamenti shqiptar dhe shtypi nisën të akuzonin qeverinë shqiptare dhe veçanërisht dhëndrin e kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, për keqpërdorimin e fondeve të projektit të Bankës Botërore për qëllime personale.
BB ndaloi projektin dhe hetoi skandalin në qendër të të cilit ndodhet prishja me dhunë e disa ndërtesave në Jalë në vitin 2007 në kundërshtim me politikat e Bankës Botërore.
Paneli i Inspektimit i Bankës Botërore e konsideron çështjen si “një nga hetimet më të vështira që është ndërmarrë këto 14 vitet e fundit”. Skandali është rreth projektit të BB-së “Për menaxhimin e strukturuar të bregdetit të jugut”, i drejtuar nga dhëndrri i Berishës, Malltezi…
Banka Botërore pranoi të financonte projektin pasi mori garanci nga qeveria Berisha se asnjë ndërtesë nuk do të prishej. Por në 26 mars 2007, Malltezi dërgoi një letër tek autoritetet lokale, përfshirë edhe kreun e Policisë Ndërtimore, për tu ankuar mbi “ndërtimet pa leje në bregdetin e jugut”, veçanërisht në Jalë.
Malltezi kërkoi që të merreshin masa sa më shpejt. Më pak se një javë më pas, më 3 prill, policia njoftoi banorët që shtëpitë e tyre do të prisheshin. Atyre iu dha pesë ditë afat për të apeluar vendimin në gjykatat lokale, gjë të cilën ata e bënë, Por përpara se gjykatat të shqyrtonin apelin, buldozerët nisën shkatërrimin e shtëpive, proces i cili përfundoi më 17 prill.
Shpejtësia e implementimit të vendimit për prishjen ishte e paprecedent. Nga ana e tij, Berisha ka akuzuar panelin e hetuesve të BB-së se po hedh baltë dhe po shpif kundër qeverisë shqiptare…
Ne do të vëzhgojmë se sa do të kërkojë të fitojë politikisht opozita nga ky skandal. Zyrtarët e korruptuar dhe shpërdorimi i detyrës janë një çështje e nxehtë për votuesit, por nga ana tjetër është një thikë me dy presa për opozitën për shkak të së kaluarës dhe të tashmes së tyre me marrëveshje të tilla…”/DITA/