
ITALI- Një financier 85-vjeçar në pension qëlloi me armë dhe plagosi një nga hajdutët që hynë në shtëpinë e tij në Bergamo. Episodi ndodhi rreth orës 21:30 në Longuelo, një lagje periferike e qytetit. Hajduti i plagosur është një 26-vjeçar shqiptar, u ndaluar nga policia pranë shtëpisë. Ai ka marrë një plumb në qafë, por nuk është në gjendje të rëndë.
Ai u arrestua me dyshimin për grabitje të rëndë. Bashkëpunëtori, gjithashtu një 26-vjeçar shqiptar, u kap dhe u arrestua më pas nga policia.
Të dy, të veshur me kapuç, hynë në shtëpinë dykatëshe me tarracë nga një derë në pjesën e pasme, e cila u hap me forcë me një levë. Më pas ata e kapën të moshuarin në shtrat teksa ishte duke parë televizor dhe dyshohet se e kërcënuan që tu dorëzonte paratë dhe sende me vlerë. Ish-financieri kishte armën nën jastëk që e rrëmbeu dhe qëlloi. Më pas hajdutët janë larguar duke marrë me vete çantën e burrit. Gruaja e tij lajmëroi policinë.