
GREQI- Gerald Shehu, i cili u arrestua pasditen e djeshme në Korfuz të Greqisë, është paraqitur në aeroport, si shtetas anglez. Gazëtari Artur Bibe, raporton se Shehu nuk ka gjetur bileta për të fluturuar drejt Anglisë, dhe më pas ka tentuar që të arratiset drejt Spanjës, por është bllokuar në aeroport, për t’iu verifikuar pasaporta. Pas verifikimeve dhe me palën shqiptar, është bërë e mundur ndalimi i tij.
“Ai u ndoq. Donte të shkonte drejt Manchesterit, nuk kishte bileta, ai ka shtetësi angleze, ai është me dokumente me shtetësi angleze, nuk kishte bileta as për Londër, as për Manchester, dhe mori biletë për Spanjë, ai është ndaluar rreth orës 18: 30, avioni nisej në orën 18:45, si në filmat policorë. Shehu është identifikuar dhe survejuar.
Nuk mundet të mbahej sepse është i huaj dhe nga momenti që nuk kishte një akuzë s’mund të mbahej më shumë se 24 orë. Ai u gjend i izoluar në aeroportin e Korfuzit. Pasi e kanë ndjekur, e kanë vonuar për të verifikuar pasaportën, e kanë futur në një ambient. Ai e kuptuar, por s’ka bërë asnjë reagim, ishte nervoz, e kanë kuptuar që diçka nuk shkonte. Ai po aplikon si shtetas anglez, jo si shtetas shqiptar, procedurat. Procedura ekstradimit, për Angli janë të tjera, për Shqipëri janë të tjera. Mund ta kërkojë dhe Anglia”, tha Bibe.
Si ndodhi vrasja
Vijon të jetë e rrethuar me mister vrasja e recepsionistit Eraldo Nevruzi në Dhërmi, ndërkohë që mesditën e sotme policia ka gjetur trupin e pajetë të tij në afërsi të përroit që lidh Gjipenë me Vunoin. Burime nga grupi hetimor zbulojnë detaje të reja nga krimi makabër, që ndodhi brenda hotelit në Dhërmi, në orët e para të ditës së enjte.
Mësohet se krimi ka qenë i planifikuar nga ana e Shehut, pasi përgjatë mbrëmjes, kur Nevruzi sapo kishte marrë turnin e punës, ai e ka thirrur në një dhomë ku pushonte stafi duke u kujdesur të justifikojë edhe mungesën e tij tek vendi i punës.
Më pas ai e ka ekzekutuar i vetëm dhe me mbështetjen e dy bashkëpunëtorëve Daniel Qose dhe David Larti, ka bërë të mundur zhveshjen e trupit të viktimës, duke i marrë sendet personale, rrobat, dokumentat e identifikimit, të cilat ja kanë djegur tek furra e picerisë. Më pas Shehu është ndihmuar nga dy punonjësit e hotelit, duke e kanë mbështjellë trupin e viktimës me plastmas, dhe e kanë futur në mjetin tip ‘Audi a8’ duke u larguar më pas nga hoteli./ZËRI