
KORÇË- Detaje të reja nga vrasja e dyfishtë që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Korçë, ku mbetën të vrarë Emiljano Pine dhe Ilo Lluka. Fqinjët e dy viktimave, duke folur për mediat janë shprehur se kur kanë dëgjuaar krismat kanë menduar se kanë qenë fishekzjarre, por kur kanë dalë në rrugë kanë gjetur të shtrirë të dy trupat, ndërsa zbulojnë edhe lidhjen mes tyre.
“Isha në shtëpi kur ndodhi ngjarja. Dëgjova krisma, dola jashtë dhe i pashë të dy të shtrirë në rrugë. I njihja të dy personat. Emiljano ishte djalë i shkëlqyer. Nëna e Emiljanos e mbante në shtëpi babanë e Ilos prej disa vitesh dhe kujdesej për të, që kur ishte edhe i shoqi gjallë”, tha njëri prej tyre.
“Dëgjova krisma mbrëmë. I thashë gruas mos janë fishekzjarre dhe nuk dola në moment. Kur dola për të mbyllur derën pashë çfarë kishte ndodhur. Nuk njihja asnjërin prej tyre”, ka deklaruar një tjetër.
Jashtë kamerave, fqinjët e Emiljano Pines kanë treguar se familja jetonte me qera. Ndërkohë që babai i autorit të ngjarjes bashkëjetonte me familjen e Emiljanos prej 4 vitesh. Nëna e Emiljanos kujdesej për shkak të pamundësive të tij fizike dhe moshës. Sipas banorëve, babai i Emiljanos kishte 1 vit që kishte ndërruar jetë dhe ata e vazhdonin bashkëjetesën./ZËRI