
TIRANË- Intervista e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj që pritet të transmetohet ditën e hënë në “Syri TV” ka nxitur një sërë reagimesh, në rrjetet sociale, por edhe në media dhe në rrethin e gazetarëve. Kjo për shkak se Ahmetaj, ka zgjedhur pothuajse në të njëjtën mënyrë si herën e kaluar, që të flasë për gazetarin Çim Peka, ndërsa ka aludime se intervista mund të jetë zhvilluar disa muaj më parë.
Kjo tezë ështe hedhur për konsum nga gazetari Mero Baze, i cili në një editorial shkruan se përmes intervistës, dhe emrave që ka përmendur në të Ahmetaj, janë gjobitur të paktën dy biznesmenë të rëndësishëm në Tiranë, edhe pse identetetet e tyre nuk janë dhënë. Baze shkon më tej, duke thënë se opozita përmes bashkëpunimit me Ahmetajn, është duke bërë më shumë para edhe se vetë afera e inceneratorëve, e cila është nën hetim prej disa vitesh nga Prokuroria e Posaçme.
Gazetari shprehet se në variantin final të intervistës që do të transmetohet ditën e hënë, janë hequr denoncimet që Ahmetaj ka bërë për disa biznesmenë të mëdhenj, që sipas ish-numrit dy të qeverisë kanë qenë të përfshirë në afera korruptive.
SHKRIMI I MERO BAZES
Zakonisht ndodh që pas ndonjë interviste të rëndësishme bëhen debate televizive, kurse televizioni i familjes Berisha paralajmëron debate televizive për atë se çfarë do thotë Arben Ahmetaj në intervistë të hënën.
Nuk është ndonjë sekret që nuk dihet, pasi ata kanë 7 muaj që e kanë marrë intervistën dhe e shesin pjesë pjesë. Problemi është se intervista para se të transmetohet, është shitur disa herë për shantazhe tek personazhe që përmenden dhe për të tjerë të cilët nuk përmenden, por u është thënë se janë sulmuar nga Ahmetaj.
Kështu në një farë mënyre ajo ka për të mbetur në histori si intervista nga e cila këta të Berishës kanë bërë lekë më shumë se nga inceneratorët.
Së paku dy biznesmenëve të mëdhenj u është çuar në zyrë duke u treguar pjesën ku ai akuzon me dreka e darka me ta, dhe u është premtuar heqja kundrejt pagesës. Të tjerë janë terrorizuar me stilin e thashethemeve, kështu tha për ty, kështu për atë. Ndonjë që e ka ngrënë presionin, dhe ka paguar. Me të tjerë bëhet pazar deri të hënë, duke nxjerrë paraprakisht se ça do thotë Ahmetaj. E vërteta është që intervista është marrë qysh herën e parë dhe po shitet pjesë pjese, duke ndjekur ca hallet e Ahmetajt në përpjekje për të marrë azil, por më shumë hallet e Berishës, i cili mendon me këtë rast të kapë edhe ndonjë ndonjë lekë, përveç shantazhit.
Tani Ahmetaj ka hallet e veta dhe ka të drejtën e tij t’i zgjidhi ato ku të dojë e si të dojë, por nëse kontratën e ka pas që dhe ata ta shesin si të duan, s’ka për t’i bërë as atij për azil, dhe as aziles së pleqve në penxheren e PD.
Sa herë që Berisha mund të ketë ndonjë hall si ky dorëzimi për Kodin electoral, mund t’u hedhë të vetëve një copë për t’u hequr mërzinë. Nuk di në ua heq dot këtë radhë, por mirë është të mbajë rezervë dhe për ditën e zgjedhjeve. Se atë ditë mërzia do jetë më e madhe.
Kjo tezë e hedhur nga gazetari Mero Baze, por e mbështetur edhe nga eksponentë të tjerë publikë, rikthen edhe njëherë debatin, për marrëdhënien e ngushtë, dhe njëherësh delikate, dhe në kufijtë e konfliktit të interesit, mes medias, politikës dhe biznesit. /ZËRI