
TIRANË- Shqiptarët udhëtojnë më shumë jashtë vendit për vitin 2022. Këtë e bën me dije Instituti i Statistikave në një anketë mbi Turizmin, Pushimet dhe Udhëtimet. Sipas Instat, në vitin 2022, numri i udhëtimeve për qëllime personale apo biznesi (brenda apo jashtë Shqipërisë), të kryera nga individët banues në Shqipëri të moshës mbi 15 vjeç ishte 3.746.993.
Numri mesatar i netëve të qëndrimit për udhëtime të kryera është 5,1 netë. Sipas shifrave, në vitin 2022, janë regjistruar rreth 8,3 % më shumë udhëtime në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj, krahasuar me vitin 2021.
Karakteristikë e këtij viti është rritja e shënuar për udhëtimet për qëllime personale dhe biznesi jashtë Shqipërisë, shkruan Monitor.
Mosha që udhëton më shumë sipas INSTAT është 25-34 vjeç. Analizimi i udhëtimeve sipas gjinisë së udhëtarit, në vitin 2022, na tregon se përqindjet më të larta të udhëtimeve, brenda Shqipërisë, janë kryer më shumë nga udhëtarët femra (50,3%), ndërsa udhëtimet jashtë Shqipërisë janë kryer më shumë nga udhëtarët meshkuj (55,3%).
Përpos destinacioneve të preferuara gjithmonë nga shqiptarët për udhëtime jashtë vendit si Greqia dhe Italia, në vitin 2022 në listën e të preferuarve të shqiptarëve janë shtuar dhe Spanja e Anglia.
Ndërsa për udhëtimet brenda vendit për qëllime personale apo biznesi, kryesojnë listën Tirana, Korça, Vlora dhe Durrësi. Ndëkrohë sa i takon transportit anketa zbulon se rreth 3,33 milionë udhëtime janë kryer nëpërmjet transportit rrugor të cilët përbëjnë 88,9 % të të gjithë udhëtimeve të kryera në vitin 2022, raporton Monitor. Rritja më e lartë është regjistruar në transportin ajror me 6,1 pikë përqindje./Zëri.ai